Ardian Nuhiu debuton me fitore si kryetrajner i Dritës

Ardian Nuhiu ka debutuar me fitore si kryetrajner i Dritës në Superligën e Kosovës, teksa në derbin e Anamoravës skuadra e tij mundi Gjilanin me rezultatin 3:1, njofton ‘infOSport.mk’.

Si gjithnjë derbi i skuadrave të Gjilanit dhuroi spektakël si në fushë, ashtu edhe në tribunat e stadiumit, ndërsa fitoren e Dritës e paralajmëroi Ardian Limani që në minutën e 8-të. Ishte ky goli i vetëm i shënuar në 45 minutëshin e parë, ndërsa në minutën e 69-të Hajdari solli simetri në rezultat.

Ky gol solli shumë gëzim në mesin e futbollistëve dhe tifozëve të Gjilanit, mirëpo për fat të keq të tyrin kjo festë zgjati shumë shkurtë, pasi ish sulmuesi i Pobedës Kirian Nvabueze në minutën e 72-të shënoi për rezultat 2:1.

Fare në fund, në minutat shtesë të takimit, Erjon Vucaj shënoi edhe golin e tretë për Dritën, që me këtë fitore arrinë në kuotën e 26 pikëve, duke u renditur në pozitën e 5-të. Në anën tjetër Gjilani edhe përkundër kësaj disfate mbetet në pozitën e katërt me 27 pikë.

Leave a Reply