Eden Hazard në verë do ti bashkohet skuadrës së Real Madridit. Një bombë të këtillë ka lëshuar e përditshmja spanjolle “Marca”, që njihet si një media e afërt me skuadrën madrilene. Sipas tyre Real Madridi nuk kanë qenë kurrë më pranë Hazardit, i cili pritet që shumë shpejtë të firmos me “mbretërit”.
Hazard, i cili aktualisht luan me Çelzin në Angli, nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të shkuar një ditë në Madrid e të luajë me fanellën e Realit dhe duket se kjo dëshirë është fare pranë realizimit.
“Konfirmimi” indirekt sipas “Marca”-s ka ardhur nga Zinedin Zidan, gjatë një konferencë shtypi në vigjilje të ndeshjes kundër Eibarit: “Nuk do të jap opinionin tim personal për Hazard. Do të flasim në fund të këtij sezoni ose në fillim të sezonit të ardhshëm”.
Pasi iu afruan shumë belgut verën e shkuar menjëherë pas shitjes së Kristiano Ronaldos, Real Madrid dhe Hazard duket se do t’i thonë po njëri-tjetrit dhe as frenimi i merkatos së Çelzit nuk do ta ndalë këtë operacion.
Klubi anglez ka kuptuar dëshirën e yllit të tij për një aventurë të re dhe, ndonëse me zemër të thyer, ka ndërmend t’ia plotësojë këtë dëshirë. Natyrisht jo gratis, do të duhen shumë milionë euro. Flitet mbi 100 milionë, por “Marca” në shkrimin e saj të sotë nuk ka dhënë shifra.