Futsal Shkupi shkruan historinë, kualifikohet në raundin kryesor të Ligës së Kampionëve

Futsal Shkupi mbrëmë ka shkruajtur historinë, duke u kualifikuar në raundin kryesor të garave në Ligën e Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra nga Çairi përmbylli me sukses turneun parakualifikues, ku në garë me skuadrat kampione të Andorrës, Encamp, ata të Uellsit, Cardiff Univeristy dhe të Letonisë, Lokomotiv Daugavpils, doli të jetë e para në grupin “B”, me 9 pikë maksimale.

Futsal Shkupi mbrëmë në palestrën “Kale” mundi Lokomotivën në ndeshjen vendimtare me rezultatin 3:2, duke siguruar biletën për turneun kualilfikues në Makarska të Kroacisë.

Erkan Seferi hapi serinë e golave në minutën e katërt, ndërsa në minutën e 12-të tifozët e pranishëm në palestër patën mundësinë të shohin momentin më të bukur të ndeshjes, kur portieri Shefki Berisha,  shënoi një super gol nga distanca e largët.

Me rezultatin 2:0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa fillimi i pjesës së dytë foli në të mirë të letonezëve, skuadër kjo që falë Rashçevskis, barazuan shifrat në 2:2, transmeton “infOSport.mk”.

Pasoi një lojë me nerva nga ana e të dyja skuadrave, ndërsa mu në momentet vendimtare në skenë doli Dragan Petroviç, një ndër lojtarët më të mirë të takimit, kur pas një solo aksioni në mes këmbëve të portierit kundërshtarë, arriti që të shënojë atë gol të fitores, me të cilin Futsal Shkupi shkruajti historinë.

Leave a Reply