BBC për Kosovën dhe Vokrrin: Njihuni me njeriun dhe ekipin që jep shpirtin në fushë

BBC ka bërë një artikull special për rritjen e futbollit të Kosovës si dhe për njeriun (Fadil Vokrri) që ka luftuar më së shumti për këtë e të cilin e ka cilësuar si një mrekulli.

Krejt çfarë dëgjohej atë ditë ishte fjala “mrekulli”. Mijëra njerëz kishin mbushur rrugët e Prishtinës që zhurmonin mes kureshtjes, frikës, garës dhe shpresës.

Ishte shtatori i vitit 2016 kur Kosova po e luante ndeshjen e parë ndërkombëtare si shtet.

Por tri vite më pas, mrekullia ka marrë një formë tjetër.

Shteti i ri i Ballkanit Perëndimor arriti që ta mposhtë Republikën Çeke me rezultat të rëndësishëm 2:1. Ky është suksesi më i mirë i deritanishëm.

15 ndeshje, asnjë humbje. Ky po konsiderohet sukses i madh për një shtet të vogël.

Kosova ka një shans të mirë të prek “Euro 2020”, dhe përballja e radhës është kundër Anglisë, që do të zhvillohet të martën (10 shtator).

Vendi prej 1.8 milion banorëve kishte provuar për 8 vite që të pranohej në FIFA dhe UEFA, por ketë e arriti vetëm në 2016-tën.

Ky proces nisi qysh në 2008-ën, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia.

Se një vend i vogël dhe i vuajtur në zemër të Ballkanit do të shkëlqejë kaq shumë në fushë, nuk e kishte menduar askush, përveç një njeriu.

Për ta kuptuar origjinën dhe shpirtin e këtij ekipi special duhet ta njihni edhe Fadil Vokrrin.

Ai ishte faktoi kyç i njohjes së futbollit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Pasi u shua vitin e kaluar në moshën 57-vjeçare, stadiumi kombëtar u emërua “Fadil Vokrri” në nder të tij.

Si e shumë të tjerëve, jeta e Vokrrit mori formë nga lufta që tërbohej në këtë rajon, 20 vjet më parë. Nga cikli i hidhur i tensioneve mes dy vendeve, askush nuk donte t’i hidhte sytë nga talentet e rinj. Por Fadil Vokrri besonte shumë në atë që shihte.

Ai asnjëherë nuk kishte përdorur deklarata politike e as nacionaliste për të argumentuar pse Kosova duhet t’i bashkëngjitej futbollit ndërkombëtar.

Ai punoi me pasion duke shfrytëzuar njohuritë e tij si ish një ndër yjet e viteve ’70-’80. Ai ishte pa diskutim më i miri prej lojtarëve të ish-Jugosllavisë, dhe më pas të Turqisë, ku Fenerbahçja e famshme e Stambollit ende ruan kujtimet e tij.

Vokrri shfrytëzoi edhe njohuritë që kishte pasur si trajner në Francë dhe vende të tjera në Europë, dhe kanalizoi durimin me përpjekje për të hyrë në skenë vrullshëm. Tani, ekipi përfaqësues i Kosovës është plot me djem të rinj të rritur jashtë vendit të tyre, por që flasin shqip mes vete dhe anglisht me trajnerin e zviceran.

Të përzgjedhur dhe kombinuar me kujdes, me mbështetjen e “çmendur” në ulëset e tifozëve, disa prej tyre betohen se janë në gjendje ta lënë shpirtin në fushë. Kosovën e pret një ndeshje e madhe me Anglinë, dhe fitorja do të ishte diçka që do zinte faqet e para të gazetave sportive.

Nga një vend ku futbolli luhej në baltën e kuqe, në një vend që shkëlqen me të rinj që i japin shpresë dashamirëve të sportit.

Futbolli për vendin po shihet si “parajsa e sigurt” për t’u ikur halleve që janë tipike të një vendi që përpiqet të qëndron në këmbë pavarësisht rrëzimeve. (tesheshi.com)

Leave a Reply