A do të luhen edhe në Kosovë ndeshjet pa tifozë? Ja çfarë thonë në FFK

Përhapja e shpejtë e koronavirusit sidomos në vendet e rajonit, ka bërë që edhe Kosova të alarmohet dhe të fillojë të ndërmarrë masat e nevojshme. Përveç shëndetit, ky virus ka prekur edhe aktivitetet sportive. Shumë ndeshje të anuluara, shumë të tilla pa tifozë – kanë bërë që paniku të jetë edhe më i madh.

Edhe në Kosovë, nuk përjashtohet mundësia e përhapjes së koronavirusit – edhe pse deri tani fatmirësisht nuk ka asnjë të konfirmuar. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së Eroll Salihu ka konfirmuar se në koordinim me Ministrinë e Sportit dhe atë të Shëndetsisë do të merren masat e nevojshme në rast të përhapjes së kësaj epidemie.

‘’Ne jemi në kontakt me Ministrinë e Sportit dhe atë të Shëndetësisë. Kjo i kalon kompentencat e Federatës dhe ne jemi së bashku. Në vendin e tonë nuk ka asnjë rast të infektimit, por nuk do të thotë që nuk do të ketë – megjithatë të gjitha masat do të merren së bashku’’, ka thënë Salihu për lajmi.net.

Rreth asaj nëse ndeshjet në vijim mund të luhen pa tifozë, ai u shpreh: ‘’Nëse do të ketë rekomandime nga Ministria, atëherë është punë e kryer. E patë edhe ndeshjen Juventus – Inter e lëre më tek ne’’, deklaroi Salihu.

Sot në mëngjes kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vendosi t’i pezullonte të gjitha aktivitetet sportive deri më 3 prill – ndërkohë Federata Shqiptare e Futbollit ka ardhur me propozimin që ndeshjet të luhen pa tifozë.

Leave a Reply