Ndahet nga jeta presidenti i parë i FFK-së, Agim Ademi me mesazh ngushëllues

Agim Bytyqi, presidenti i parë i FFK-së, është  ndarë sot nga jeta dhe Federata e Futbollit të Kosovës, i ka shprehur ngushëllime familjes së tij. Në mesazhin ngushëllues të Federatës drejtuar familjes Bytyqi, shkruhej:

E nderuara Familje Bytyqi,

Të nderuar, drejtues të KF “Liria”

Me pikëllim të thellë dhe zemër të thyer e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, kryetarit të parë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyqi, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, Komitetit Ekzekutiv, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Kontributi i Agim Bytyqit për futbollin e Kosovës ishte kulminant, i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm për nga rrethanat.

Ai me guxim e vendosmëri mori përsipër të vihet në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës në kohën e aparteidit dhe shtypjes së popullit të Kosovës nga regjimi okupator i Serbisë, duke e bërë kësisoj futbollin si pjesë të rëndësishme të rezistencës sonë kombëtare në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar ndaj pushtuesit serb.

Përveç kohës së tij si drejtues i futbollit kosovar, Agim Bytyqi ishte emër i shquar edhe si futbollist, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në klubin e qytetit të tij, Liria.

Agim Bytyqi ishte personalitet me kapacitete të larta intelektuale, patriot dhe njeri i urtë e i fjalës. Ai edhe në moshë të shtyrë asnjëherë nuk rreshti së dashuruari futbollin dhe për çdo sukses të Kombëtares së Kosovës derdhte lot gëzimi, andaj në këtë ditë të trishtë për futbollin tonë e kujtojmë me pietet dhe përkulemi para veprës së tij madhështore, e cila do të jetë e shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit të Kosovës.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Me respekt,

Agim Ademi, president i FFK-së

Leave a Reply