Ramadani sërish del fitues përballë Nuhiut, këtë herë në Kupën e Kosovës

Pasi i kishte rrëmbyer trofeun e SuperKupës së Kosovës, që për herë të parë në historinë e futbollit dardan u zhvillua në Turqi, Zekirja Ramadani me Prishtinën e tij, brenda një afati të shkurtë sërish ka mundur Dritën e Gjilanit, që udhëhiqet nga një tjetër strateg, shkupjan, Ardian Nuhiu, njofton “infOSport.mk”.

Prishtina dhe Drita sot u përballën në kuadër të ndeshjen së 1/8 së finales, e ku në fund fitorja i takoi skuadrës nga kryeqendra kosovare, mirëpo vetëm pas vazhdimeve rpej dy herë nga 15 minuta, pasi ndeshja në kohën e rregullt prej 90-të minutave ishte mbyllur me rezultatin e fillimit, 0:0.

Ndeshja doli të jetë disi e barabartë, me Prishtinën që më shumë e zotëronte topin në fushë, derisa golin e vetëm dhe të fitores ekipi vendas e gjeti në minutën e 106-të, kur Lorik Boshnjaku shënoi një super gol.

Drita pas këtij goli të shënuar në minutën e parë të vazhdimit të dytë, tentoi për të barazuar rezultatin, mirëpo pa sukses, kjo edhe për shkak nervozizmit që vërehej në rradhët e skuadrës gjilanase, ku si pasojë deri në fërshëllimën e fundit të arbitrit kryesor, dy futbollistë të tyre, Erjon Vucaj (117’) dhe Vladica Brdarovski (121’), u ndëshkuan me kartonë të kuq.

Në fund fitore minimale, por shumë e rëndësishme për Prishtinën, që në këtë mënyrë siguroi një vend në mesin e 8 skuadrave më të mira në futbollin kosovar. (infOSport.mk)

Leave a Reply