Të shtunën hap siparin stinori pranveror në elitën e futbollit vendor

Pas saktë dy muajve pushim, nesër hap siparin stinori pranveror në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”. Takimi i parë dhe i vetmi i së shtunës, është ai midis Akademia Pandevit dhe Rabotniçkit.

Ndeshja në fjalë do të zhvillohet në Strumicë, me dy skuadra që kanë pësuar shumë ndryshime si në kuadrin e futbollistëve, ashtu edhe në shtabin teknik.

Kështu Akademia Pandev në këtë gjysëmsezon do të udhëhiqet nga Aleksandar Vasoski, i cili për dy vite e gjysmë me mjaft sukses e udhëhoqi Vardarin, ndërkohë Rabotniçki do të udhëhiqet sërish nga Aleksandar Vlaho, një trajner mjaft ambicioz, i cili beson se këtë herë do i’a dalë më mirë te “romantikët”.

Këta të fundit stinorin vjeshtorë e mbyllën në pozitën e 7-të me 24 pikë, ndërkohë Akademia Pandev vetëm në pozitën e parafundit me 17 pikë.

Bazuar në pozitat momentale, pikët janë më se të nevojshme për ekipin e Vasoskit, mirëpo për të arritur deri tek ato, futbollistët e Akademia Pandev do të duhet ta dëshmojnë edhe në terren, aty ku pritet një luftë e ashpër.

NDESHJET TJERA – Ndërkohë të gjitha 5 ndeshjet tjera të javës së 19-të në program janë të dielën.

Kampionët e vjeshtës, Shkëndija, do të ketë një detyrë të vështirë në udhëtim te Sileksi, FC Shkupi në Veles do të masë forcat me Borecin e reformuar, ndërkohë Struga Trim Lum në ndeshjen më interesante të javës do të përballet me Makedonija GJ.P.

Renova beson fuqishëm në 3 pikët e plota ndaj Bellasicës, ndërkohë në stadiumin më të madh të vendit tonë në Shkup, do të përballen dy njohësit e vjetër, Vardari dhe Pelisteri. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 19

Ak.Pandev 13.02 (14:00) Rabotniçki
Sileksi 14.02 (14:00) Shkëndija
Boreci 14.02 (14:00) FC Shkupi
Struga Trim Lum 14.02 (14:00) Makedonija Gj.P
Renova 14.02 (14:00) Bellasica
Vardari 14.02 (14:00) Bellasica

Leave a Reply