Zekirja Ramadani del sërish fitues përballë Ardian Nuhiut

Prishtina ka mundur Dritën me shifrat 2:0 në ndeshjen e vlefshme të javës së 21-të në Superligën e Kosovës, njofton “infOSport.mk”. Në këtë mënyrë Zekirja Ramadani doli sërish fitues përballë shokut të tij, Ardian Nuhiut, të cilin e kishte mundur edhe në finalen e SuperKupës së Kosovës, të zhvilluar javë më parë në Turqi, por edhe në kuadër të Kupës së Kosovës, kur i eliminoi në kuadër t% 1/8 së finales.

Që të dyja këto fitore kanë peshën e vetë, pasi përveç trofeut të fituar, fitorja e sotme ka kthyer fuqishëm në garë për titullin kampion Prishtinën e Ramadanit, i cili që nga fillimi kur kishte marrë drejtimin e skuadrës së njohur kosovare kishte deklaruar se te Prishtina vjen për të rikthyer këtë skuadër në majat e futbollit kosovar, aty ku edhe e ka vendin.

Ndryshe për fitoren 2:0 të Prishtinës më të merituar ishin Leotrim Bekteshi, i cili shënoi gjatë pjesës së parë dhe mbrojtësi Tun Bardhoku, që realizoi në pjesën e dytë, më saktësisht dy minuta para fundit të takimit.

Vlen të theksohet se Drita nga minuta e 61-të luajti me një futbollistë më pak në fushë pas përjashtimit të nigerianit, Henri Austine Onoka.

NDESHJET TJERA – Disfatën e Dritës së Gjilanit nuk arriti ta shfrytëzojë në maksimum Ballkani, që barazoi 1:1 në transfertën me Gjilanin, ndërkohë në ndeshjen tjetër të zhvilluar sot, Trepça ’89 mundi Llapin me rezultatin minimal 1:0.

RENDITJA TABELARE – Ballkani kryeson renditjen me 45 pikë, një më shumë se Drita e Ardian Nuhiut, ndërkohë Prishtina e Zekirja Ramadanit me 41 pikë renditet në pozitën e tretë.

Leave a Reply