Ramadani dhe Nuhiu vazhdojnë luftën për titull në Kosovë, nuk heq dorë edhe Ballkani (VIDEO)

Dy strategët shkupjan, Ardian Nuhiu dhe Zekirja Ramadani  vazhdojnë luftën për titull në elitën e futbollit kosovar, teksa nuk heq dorë edhe Ballkani i Blendi Shkëmbit. Që të tre skuadrat pretendente për titull në Superligën e Kosovës, Drita, Ballkani dhe Prishtina shënuan fitore në ndeshjet e javës së 23-të, duke bërë që gjithçka të mbetet e paqartë në luftën për më të mirin e futbollit kosovar, njofton “infOSport.mk”.

Nisi gjithçka me fitoren e Ballkanit të premtën kundër Drenicës (2:1), për të vijuar me fitoren e Prishtinës (2:0) ndaj Llapit të shtunën dhe për tu përmbyllur me fitoren e madhe të Dritës së Ardian Nuhiut të dielën në transfertën kundër Feronikelit.

Një super gol i Festim Alidemajt në minutën e 93-të i dha fitoren Dritës kundër Feronikelit në Drenicë, duke rikthyer skuadrën nga Gjilani në pozitën e parë.

Ndërkohë vazhdon ndjekja e Ballkanit, që të premtën falë golave të shënuar nga Arbër Hoxha dhe Bajram Jashanica mundi me shifrat 2:1 Drenicën, për të cilën skuadër golin e vetëm e realizoi Dardan Rogova.

Fitore shumë e rëndësishme edhe për Prishtinën e Zekirja Ramadanit, që në stinorin pranveror u rikthye fuqishëm në garën për titullin e kampionit. Skuadra nga kryeqendra kosovare të shtunën mundi Llapin me rezultatin 2:0, duke iu falënderuar golave të shënuar nga Besnik Krasniqi (30’) dhe Alban Shillova (34’).

Pas 23 javëve kampionat, Drita e Ardian Nuhiut kryeson renditjen në Superligën e Kosovës me 50 pikë, dy më shumë se Ballkani i vendit të dytë, ndërkohë Prishtina me 47 pikë renditet në pozitën e tretë.

Java e 24-të sjellë derbin e Anamoravës, derbin më të madh kosovar, atë midis Dritës dhe Gjilanit, Ballkani do të jetë mysafir i Arbërisë së Arbnor Morinës, ndërkohë Prishtina do të mirëpret Besën e Pejës. Këto takime në program janë të mërkkurën (10 mars).

Leave a Reply