3 “jabanxhi” mendojnë për fitoren e FC Shkupit në Kratovë (VIDEO)

FC Shkupi ka mundur sërish Sileksin në Kratovë, këtë herë me shifrat 3:1, njofton “infOSport.mk”. Pas fitores minimale 1:0  në ndeshjet e 3 marsit, kur Fredy Alavrez ishte përkujdesur për 3 pikët e plota, sot një gjë të tillë bënë 3 futbollistët jabanxhi, Ruatubjaje, Diak dhe Rexhinaldo.

Që të tre u regjistruan në listën e golashënuesve, duke zhvlerësuar golin e Karakamishev, i cili në minutën e 15-të kishte kaluar në epërsi Sileksin.

Golin e parë për FC Shkupin në këtë transfertë e realizoi mbrojtësi nga Ruanda, Abdul Ruatubjaje në minutën e 38-të, kur mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Fredy Alvarez nga gjuajtja e lirë.

Kështu pjesa e parë u mbyll me nga një gol të shënuar nga të dyja skuadrat, ndërsa në pjesën e dytë ekipi “bardhekaltër” nga Çairi u gjind më së miri në fushën e mbuluar me borë, duke shënuar edhe dy herë të tjera në rrjetën e portierit Bozhinovski.

Lamine Diak në minutën e 70-të shfrytëzoi tollovinë në zonën kundërshtare dhe me një goditje precize nga brendia e zonës shënoi për rezultat 2:1.

Ishte kjo epërsia e parë për skuadrën e trajnerit Hasan Ozer, epërsi të cilën e thelluan fare në fund, kur sulmuesi Rexhinaldo në minutën e 88-të shënoi për rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Sileksi 1, FC Shkupi 3.

Ishte kjo fitorja e 13-të sezonale për FC Shkupin që vazhdon të qëndrojë në pozitën e dytë pas KF Shkëndijës, që në transfertën në Shkup, demoloi Vardarin, duke mundur me shifrat 6:1. (infOSport.mk)

Leave a Reply