E kërkoi me ngulm verën e kaluar dhe gjatë merkatos së janarit, por nuk arriti ta marrë dot, megjithatë pas një viti vonesë, më në fund Ronald Kuman do të ketë sulmuesin e tij të preferuar te Barcelona, holandezin Memfis Depay.
Sipas mediave spanjolle, holandezi 27-vjeçari ka nisur kërkimet për të gjetur shtëpi në Barcelonë, pasi është i bindur se do t’i bashkohet klubit “katalunas” në fund të sezonit, kohë kur i skadon edhe kontrata me francezët e Lionit.
Barcelona ka ndjekur me mjaft interes sulmues si Lautaro Martinez e Depay, por duket se më në fund ka përzgjedhur holandezin si të duhurin, edhe për faktin që pritet të vijë me parametra zero dhe do të marrë vetëm rrogën sezonale.
Sulmuesi holandez ka shkëlqyer me fanellën e “tulipanëve” në kohën kur trajner ishte pikërisht Kuman, që aktualisht shihet si ura lidhëse për transferimin e tij në “Kamp Nou”, aty ku do të udhëheqë repartin e avancuar.
Vetë tekniku i skuadrës “blaugrana” është ankuar vazhdimisht se i mungon një sulmues tipi, i aftë të sulmojë hapësirat, pasi të gjithë lojtarët në repartin e avancuar kanë karakteristika ndryshe, duke qenë se preferojnë të luajnë më shumë me topin.
I rritur te holandezët e PSV Ajndhoven, Depay u transferua me bujë te Mançester Junajtedi verën e vitit 2014-të, por nuk ia doli të lërë gjurmë në “Old Traford”, ndërsa 5 sezonet e fundit ka qenë pjesë e Lionit ku ka shënuar 75 gola në 176 ndeshje. (SS)