Skënderbeu i rrëmben dy super talentë Shkëndijës!

Skënderbeu bën dy goditje të tjera në merkato që tashmë mund të quhen afrime përfundimtare në radhët e korçarëve. Pavarësisht se kishin siguruar shërbimet e Bekim Rexhepit dhe Leart Sadriut në huazim edhe për një tjetër sezon, kjo nuk ka qenë marrëveshja përfundimtare e Takajt me drejtuesit e Shkëndijës së Tetovës.

Burime të sigurta bënë me dije për “Panorama Sport” se presidenti i Skënderbeut, duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet e mira që ka me drejtuesit e klubit tetovar, ka arritur të marrë me të drejta të plota kartonin e dy futbollistëve në fjalë.

Bisedimet kanë zgjatur shumë pak dhe Takaj ka mundur të gjejë gjuhën e përbashkët me Shkëndijën për të siguruar afrimin me titull definitive të Sadriut dhe Rexhepit.

Të dy lojtarët tashmë janë zyrtarisht futbollistë të Skënderbeut dhe po diskutohen vetëm detajet e fundit që të dy lojtarët do të firmosin kontratën me klubin korçar.

Klubi i Skënderbeut është gati për t’u siguruar lojtarëve një kontratë afatgjatë edhe për vlerat që ata kanë treguar në sezonin që lamë pas. Pikërisht bisedimet janë duke u zhvilluar për një kontratë trevjeçare për secilin nga futbollistët, kontratë e cila do t’i mbante të lidhur me Skënderbeun si një garanci për të ardhmen e sigurt të tyre.

Leave a Reply