Alioski shkëlqen edhe njëherë tjetër me Maqedoninë (VIDEO)

Ezgjan Alioski ka shkëlqyer edhe njëherë tjetër me fanellën e përfaqësueses së vendit tonë, duke dëshmuar formën e mirë që po kalon, pavarësisht transferimit të tij në futbollin arab, shkruan “infOSport.mk”.

Alioski shënoi një nga golat në barazimin 2:2 të Maqedonisë ndaj Islandës, ndërsa i njëjti edhe pse nuk shënoi në ndeshjen e para disa ditëve në Shkup përballë Armenisë, statistikat treguan se i njëjti ishte një ndër futbollistët më të mirë tek ekipi i Bllagoja Milevskit.

Alioski edhe në atë ndeshje ishte shumë afër golit, mirëpo bomba e tij ishte ndalur nga portieri armen, ndërsa një gjë të tillë nuk mundi të bëjë edhe portieri i Islandës, Runarson, i cili kapituloi në minutën e 54-të, pas një slalomi të futbollistit shqiptarë dhe goditjes precize me të majtën e tij.

Kujtojmë, Alioski kishte asistuar edhe në golin e parë të shënuar nga Dare Velkovski në minutën e 11-të, mirëpo vlen të theksohet se edhe përkundër epërsisë komode që kishin “verdhekuqtë”, në fund duheshe të pajtohen me barazim 2:2, pas golave të shënuar nga Bjarnason (78’) dhe Gudjohnsen (84’).

Pas këtij barazimi, Maqedonia me 8 pikë mban pozitën e katërt në grupin “J”, aty ku tashmë kryeson Gjermania me 12 pikë. “Pancerët” në ndeshjen e mbrëmshme demoluan Armeninë, duke e mundur me rezultatin 6:0, ndërkohë në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Rumania me shifrat 2:0 mundi Lihtenshtejnin. Pikërisht Rumania është kundërshtari i rradhës i Maqedonisë, ndeshje kjo që në program është me datë 8 shtator në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup. (infOSport.mk)

Leave a Reply