Bajrami me shokë nisin përgatitjet anti San Marino! Ja mungesat dhe rikthimet te kombëtarja shqiptare

Festa e fitores ndaj Hungarisë ka përfunduar shpejt për Kombëtaren Shqiptare, që ka zbarkuar në rezidencën e saj në kompleksin “Tropikal” në Durrës, për të nisur përgatitjen për sfidën e radhës eliminatore, atë ndaj San Marinos, që në program është të mërkurën.

Trajneri Reja ka ndarë grupin në dy pjesë, duke rezervuar një ngarkesë më të lehtë për futbollistët që luajtën dje ndaj Hungarisë, ndërsa sulmuesi Sokol Cikalleshi vijoi të stërvitet i diferencuar, për shkak të një problemi në gju.

Për sfidën ndaj San Marinos janë konfirmuar mungesat e Klaus Gjasulës, për shkak pezullimit dhe atyre të Amir Abrashit, Lorenc Trashit e Sokol Cikalleshit për shkak dëmtimeve, ndonëse për këtë të fundit ka ende një dritare shprese.

Ndërkohë lajm i mirë është rikthimi i Elseid Hysajt, Keidi Bares dhe Rey Manajt, të cilët shlyen pezullimin për shkak kartonësh dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit, Edia Reja, për ta nisur nga minuta e parë përballjen me San Marinon.

Shqipëria pas 5 xhirove të para në kuadër të grupit “I” ka tubuar 9 pikë, duke u pozicionuar në vendin e tretë, teksa të mërkurën e 8 shtatorit në mbrëmje, po në “Elbasan Arena”, do të kërkojnë një tjetër sukses ndaj San Marinos për të mbajtur gjallë ëndrrën për një vend në Kupën e Botës “Qatar 2022”.

Leave a Reply