Kumanovari Selahi shënon golin debutues në elitën e futbollit kroat (VIDEO)

Lindon Selahi, kumanovari i cili ka veshur edhe fanellën e kombëtares shqiptare, ditën e sotme me fanellën e Rijekës ka gjetur golin debutues në elitën e futbollit kroat, njofton “infOSport.mk”.

22-vjeçari Selahi te Rijeka u transferuar gjatë merkatos së verës, kur erdhi nga skuadra e Tuente, edhe pse edicionin e kalular në formë huazimi luajti për Willem II. Talenti kumanovar sot gjeti edhe rrugën drejt golit, duke shënuar në fitoren e madhe 3:4 të Rijekës ndaj Goricës në transfertë.

Selahi shënoi golin e dytë në këtë përballje, edhe atë vetëm pas 35 sekondave të kaluara në pjesën e dytë. Kumanovari në minutën e 51-të sërish doli të jetë në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për ndonjë gol të shënuar, por për faktin se bëri që një ndër futbollistët më të mirë në fushë deri në ato momente te Gorica, Delfi të ndëshkohet me të kuq, pasi ndali Selahin, kur ky i fundit me hapa të shpejtë po i drejtohej portës kundërshtare i vetmuar.

Arbitri duke respektuar rregullat në maksimum, me plotë të drejtë ndëshkoi me të kuq futbollistin vendas, ndërsa kjo e bëri më të lehtë punën e Rijekës, që në minutën e 58-të me anë të Robert Muriç nga penaltia për herë të parë kaloi në epërsi në këtë takim.

Megjithatë fundi i takimit rezultoi të jetë i çmendur, pasi në minutën 90-të Gorica arriti që të barazojë shifrat në 3:3, derisa Paviçiç në minutën e 91-të u përkujdes për fitoren e Rijekës, me të cilën kjo skuadër kryeson kampionatin kroat me 20 pikë, po aq sa ka në pozitën e dytë edhe Osijeku i Mirlind Dakut.

Vlen të theksohet se përballë Lindon Selahit në këtë takim u paraqit edhe reprezentuesi tjetër i kombëtares shqiptare, Albi Doka, që me mjaft sukses po mbron gjyrat e skuadrës së Gorica. (infOSport.mk)

Leave a Reply