Shkëndija mundi Rabotniçkin falë ADN-së së saj (VIDEO)

Shkëndija pa shumë probleme ka mundur Rabotniçkin në Tetovë në ndeshjen e vlefshme të javës së 11-të, njofton “infOSport.mk”. Kjo fitore peshon edhe më shumë nga vetë fakti se u arritë falë dyshes së talentëve Dashmir Elezi – Florent Ramadani, që janë ADN-ja e Shkëndijës.

Që të dy shënuan nga një gol në secilën pjesë, duke i siguruar 3 pikë mjaft të rëndësishme skuadrës së tyre në garën drejt kreut të tabelës së klasifikimit.

Golin e parë e realizoi Dashmir Elezi, i cili përfitoi nga kolegu i tij i sulmit, Sidrit Guri, i cili kreu punën më të madhe në minutën e 10-të, derisa talenti “kuqezi” nuk e pati të vështirë të shënojë nga afërsia për 1:0.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën në skenë doli një telant tjetër “kuqezi”, Florent Ramadani, i cili pas një kombinimi të dysfishtë me Lupço Doriev shënoi nga brendia e zonës për 2:0.

E gjithë kjo ndodhi në minutën e 65-të, ndërsa deri në fund të takimit nuk pati ndryshim të rezultatit, me Shkëndijën që tashme sheh veten në kuotën e 17-të pikëve.

Pas 11 xhirove të kaluara “kuqezinjtë” nga Tetova renditen në pozitën e 5-të. Të shtunën që vjen, Shkëndija do të mirëpret Tikveshin sërish në Tetovë. (infOSport.mk)

Leave a Reply