FC Shkupi demoloi Bregallnicën “europiane”

FC Shkupi vazhdon të “shkel” kundërshtarët e vetë në stadiumin e Çairit, aty ku sot shumë rëndë e pèsoi Bregallnica nga Shtipi, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Goce Sedlloskit shënoi fitore 5:0 në ndeshjen e parë të javës së 12-të, duke vazhduar kështu marshimin e sigurtë drejt titullit kampion.

Çështjen e fituesit skuadra nga Çairi e zgjodhi që në pjesën e parë, kur në pushim shkoi me rezultatin 3:0. Matej Cvetanoski shënoi golin e parë të takimit, për ti lënë rradhën mbrojtësit Abdul Ruatubjaje, i cili në minutën e 30-të dyfishoi shifrat në 2:0.

Golin e tretë dhe të fundit gjatë pjesës së parë e realizoi nigeriani, Sandej Adentuxhi, për të cilin ishte ky goli i 6-të sezonal.

Fillimi i pjesës së dytë u takoi mysafirëve nga Shtipi, të cilët u kanosën seriozisht me anë të Georgiev dhe Altiparmakovskit, mirëpo në të dyja rastet portieri vendas, Naumovski ishte në vendin e duhur, njëjtë sikurse edhe në minutën e 55-të, kur mbrojti penaltinë e goleadorit të mysafirëve Marjan Altiparmakovski.

Nuk vonoi shumë dhe në anën tjetër erdhi dënimi, kur në minutën 61-të, Matej Cvetanoski pas një kombinimi të dyfishtë me Adentuxhi, doli i vetëm para portierit mysafir dhe nuk fali, duke shënuar edhe golin e katërt.

Momenti më i bukur i ndeshjes ndodhi në minutën e 66-të, kur Fredy Alvarez pasi përfitoi hapësirën e duhur, me të majtën e tij shënoi një super gol për rezultat 5:0.

Deri në fund të takimit FC Shkupi shumë lehtë mund të shënonte edhe golin e 6-të, mirëpo fillimisht Cvetanoski me kokë nga afërsia goditi mbi traverzë, që më pas goditjen e rezervistit Hamidi, portieri mysafir ta devijoj në rivënie nga këndi.

Ishte kjo fitorja e 9-të për FC Shkupin këtë edicion, me ç’rast kjo skuadër vazhdon të kryesojë bindshëm renditjen, tashmë me 29 pikë, 8 më shumë se dy ndjekèsit më të afërt, Renovën dhe Akademia Pandevin, që kanë edhe bga një ndeshje më pak.

Në anën tjetër, Bregallnica mbetet në kuotën e 19 pikëve, duke u renditur aktualisht në pozitën e katërt.

Leave a Reply