Besart Ibraimi nuk harron zanatin e vjetër, dy gola të tjerë për Ksantin

Besart Ibraimi ka qenë ndër futbollistët më të dalluar te Ksanti, në takimin e sotëm që kjo skuadër e zhvilloi përballë AO Trikala, njofton “infOSport.mk”.

Ksanti i bomberit kërçovarë regjistroi fitore 5:0 në ndeshjen e vlefshme të javës së 9-të në Ligën e Dytë Greke – Veri, teksa Ibraimi shënoi dy gola në këtë super ndeshje.

Golin e parë personal e realizoi në minutën e 41-të, kur ngriti epërsinë e vendasve në 2:0, derisa në minutën e 62-të shënoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për Ksantin, për të cilën skuadër në këtë përballje, gjithashtu shënuan edhe Platellas (37’), Tselios (44’) dhe Gomez (90+2’).

Me këtë “dopietë”, Besart Ibraimi arriti në shifrën e 4 golave të shënuar këtë edicion në Ligën e Dytë greke, duke pasur parasysh se kishte realizuar dy gola të tjerë edhe ndaj Kavalas në kuadër të javës së 3-të.

Ndryshe Ibraimi 4 gola të tjerë ka shënuar edhe në kuadër të Kupës së Greqisë, aty ku skuadra e tij Ksanti i mbaroi garat që në 1/16 e finales.

Megjithatë Ksanti po shkëlqen në kampionat, aty ku mban pozitën e parë 22 pikë, një pikë më shumë se skuadra e dytë në renditje, Veria. Vlen të theksohet se Ksanti i Ibraimit ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, ashtu që për momentin mjaft mirë po ju shkojnë punët rreth rikthimit në elitën e futbollit grek. Me Ibraimin në skuadër gjithçka është e lehtë dhe e arritshme.

Kujtojmë Ibraimi te Ksanti u transferua në fund të muajit gusht nga rradhët e Shkëndijës, me të cilën skuadër nisi sezonin e sivjetshëm, duke shënuar madje edhe dy gola përballë Bregallnicës dhe Makedonija GJ.P.

Me 4 golat e shënuar deri më tani me fanellën e Ksantit, Besart Ibraimi rezulton të jetë golashënuesi më i mirë i skuadrës së bashku edhe me Dimitrios Diamantopoulos. (infOSport.mk)

Leave a Reply