Botërori i futsalit, Kombëtarja shqiptare grumbullohet në Prishtinë, pjesë e saj edhe kumanovari Ylber Alili

Kombëtarja shqiptare e Futsalit gjatë ditës që lamë pas ka bërë grumbullimin në kuadër të fazës para-eliminatore për Botërorin e vitit 2024. “Kuqezinjtë” janë grumbulluar në Prishtinë, ku edhe do të zhvillojnë përgatitjet, teksa trajneri Erind Resuli ka bërë publike edhe listën me emrat e 15 lojtarëve që janë thirrur për tre sfidat zyrtare.

Në mesin e lojtarëve të ftuar, bënë pjesë edhe kumanovari, Ylber Alili, pjesë e FC Arben Bajrami (huazim nga Futsal Shkupi), ndërsa vërehet se pjesa më e madhe e lojtarëve vijnë nga Superliga e Kosovës, ku spikasin emrat e Halim Selmanajt, Mentor Mejzinit, Azem Brahimit, Narcis Alibegut, etj.

Kombëtarja shqiptare në Prishtinë do të qëndrojë deri me 7 prill, ndërsa një ditë më herët “kuqezinjtë” do të zhvillojnë një miqësore me një ndër skuadrat elitare të futsalit kosovar.

Kujtojmë Shqipëria bënë pjesë në Grupin “E” së bashku edhe me vendin organizatorë, Suedinë, Andorrën dhe Austrinë.

Drejt Suedisë, kombëtarja shqiptare do të udhëtojë me datë 7 prill, derisa vetëm dy ditë më vonë do të zhvillojnë edhe ndeshjen e parë para eliminatore kundër kombëtares së Andorrës.

Me 10 prill “kuqezinjtë” do të kenë përballë Austrinë, ndërsa në ndeshjen e tretë do të përballen me Suedinë, ndeshje kjo që në program është me datë 12 prill. Sipas rregullores, në këtë fazë kualifikohen dy skuadrat e para të çdo grupi. (infOSport.mk)

Leave a Reply