Super Jasir Asani me asist dhe gol u siguron Europën hungarezëve të Kisvarda

Jasir Asani ka shkëlqyer në ndeshjen e fundit të javës së 31-të në elitën e futbollit hungarez, duke asistuar dhe duke shënuar gol në fitoren 2:1 të Kisvarda ndaj Ujpeshtit, njofton “infOSport.mk”.

Kjo fitore doli të jetë shumë me vlerë për ekipin e Kisvarda, që në këtë mënyrë do të luaj në arenën ndërkombëtare. Me këtë fitore, Kisvarda dy xhiro para fundit të sezonit të rregullt siguroi të paktën pozitën e tretë, teksa aktualisht me 53 pikë renditet në pozitën e dytë, menjëherë pas kampionëve të Ferencvaroshit.

Gjithçka në këtë ndeshje u vendos që në pjesën e parë, kur fillimisht Asani në minutën e katërt asistoi për Bumba, i cili shënoi për 1:0, ndërsa vetë shkupjani në minutën e 30-të arriti që të gjejë rrugën e rrjetës, duke ngritur epërsinë e Kisvarda në 2:0, gol ky që në fund u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e nikoqirëve.

Për Asanin ky ishte goli i gjashtë në sezonin e tij të parë në kampionatin hungarez, i cili mund të konsiderohet si shumë i suksesshëm, duke pasur parasysh se Asanin do e shohim edhe në garat ndërkombëtare. Mbetet të shihet nëse shorti Asanin do të vendoste me ndonjërën prej skuadrave shqiptare, qoftë nga Kosova, Shqipëria apo edhe Maqedonia, dy kampionate këto të fundit, ku fantazisti shkupjan ka bërë karrierë, duke luajtur me Vardarin, FC Shkupin, Pobedën dhe Partizanin e Tiranës. (infOSport.mk)

Leave a Reply