Drita e Ardian Nuhiut ja rrëmben Ballkanit njërin ndër futbollistët më të mirë!

Ballkani u shpall kampion për herë të parë në historinë e futbollit kosovar, mirëpo edhe ky fakt nuk ka bindur njërin ndër futbollistët më të rëndësishëm të kësaj skuadre, Blendi Baftiun, që të mbetet pjesë e skuadrës nga Suhareka edhe në sezonin e ri, sidomos për ndeshjet ndërkombëtarae, shkruan “infOSport.mk”.

Baftiu ka vendosur që karrierën ta vazhdojë te Drita e Gjilanit, skuadër kjo që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu.

Me siguri projekti, apo ndoshta edhe ndonjë pagë më e majme kanë bindur Baftiun për të pranuar ofertën e skuadrës gjilanase të Dritës, që sezonin 2021/2022 në futbollin elitar të Kosovës e mbylli si nënkampione, ndërsa gjithashtu të enjten do të luftojë edhe për trofeun e Kupës përballë Llapit të Batatinës.

Talenti i madh i futbollit kosovar brenda pak ditëve pritet të prezantohet te Drita, me të cilën skuadër tashmë ka arritur marrëveshje.

Largimi i Baftiut pa dyshim do të lë zbrastirë të madhe në skuadrën e Ilir Dajës, teksa mbetet të shihet nëse drejtuesit e klubit me në krye Drejtorin Sportiv, Nderim Nexhipin, do të intervenojnë shpejt në treg për të gjetur ndonjë lojtar të kalibrit të tij. Kujtojmë Ballkani këtë edicion do prezantojë Kosovën në eliminatoret e Ligës së Kampionëve. (infOSport.mk)

Leave a Reply