Ballkani drejt San Marinos niset pa sulmuesin e saj kryesor!

Kampioni i Kosovës, Ballkani do ta marrë sot rrugën drejt San Marinos për ta vazhduar aventurën në garat evropiane, mirëpo këtë herë në Ligën e Konferencës.

Skuadra nga Suhareka i nisi garat në raundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, ku vetëm pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta u eliminua në ndeshjen kthyese në Lituani nga skuadra e Zhalgiris.

Ndërkohë tashmë kjo skuadër vazhdon garat nga raundi i dytë i Ligës së Konferencës, aty ku për kundërshtarë do të ketë skuadrën e La Florita.

Ndeshjen e parë skuadra e Ballkanit do ta zhvillojë në transfertë nesër nga ora 20:45 në “San Marino Stadium”.

Mirëpo në prag të kësaj sfide shumë të rëndësishme, trajneri Ilir Daja po has në disa probleme.

Përpos Kushtrim Gashit që ka kërkuar largimin, Ballkani kundër skuadrës modeste nga San Marino do të duhet të zbres në fushë edhe pa sulmuesin, Theophilus Solomon.

Ky i fundit nuk ka arritur të marrë vizë për të udhëtuar me skuadrën drejt San Marinos.

Ndryshe, Solomon është pjesë e Ballkanit që nga vera e vitit të kaluar, derisa në karrierën e tij ka luajtur për shumë skuadra, në mesin e tyre edhe për Partizanin e Tiranës. (infOSport.mk)

Leave a Reply