Guri mungoi dhe shkoi, por cila ishte arsyeja e mungesës së Stojanovskit ndaj Sileksit?

Shkëndija sezonin e ri e nisi me një barazim 1:1 përballë Sileksit, ndeshje kjo që u zhvillua në Strugë, shkaku i pezullimit të fushës së tetovarëve si pasojë e ngjarjeve të sezonit të shkuar përballë FC Shkupit.

Pikërisht një përballje me FC Shkupin në vitin 2019-të, pengoi sulmuesin e Shkëndijës, Vllatko Stojanovski të paraqitet në ndeshjen e së dielës kundër Sileksit.

Edhe pse i njëjti ishte parashikuar të ishte titullar në formacionin e trajnerit Artim Shaqiri, në moment të fundit ai ra nga kombinimi, kjo për shak se sistemi COMET nuk pranonte Stojanovskin, i cili rezultoi të ishte i pezulluar.

Stojanovski më 19 maj të vitit 2019 si pjesë e Renovës, ishte ndëshkuar me të kuq në ndeshjen që skuadra nga Xhepçishti e kishte zhvilluar në Çair.

Stojanovski ishte ndëshkuar në fundin e pjesës së parë, duke u pezulluar me dy ndeshje mos lojë.

Një ndeshje ai kishte kaluar që atë vit (2019), duke i munguar Renovës në derbi ndeshjen e 26 majit kundër Shkëndijës, që njëherit ishte edhe fundi i kampionatit 2018/2019, pas të cilit Stojanovski ishte transferuar në Francë te skuadra e Nimes.

Megjithatë Stojanovski kishte edhe një ndeshje pezullim, ndërsa me rikthimin e tij në kampionatin tonë vendor, i njëjti duheshe të mungojë në ndeshjen e parë me Shkëndijën, skuadrën që i tha “PO” gjatë kësaj merkatoje.

Kësisoj Stojanovski mungoi në ndeshjen kundër Sileksit, por kur tashmë pezullimi i skadoi, i njëjti pritet të debutojë në mesjavë me fanellën e Shkëndijës në një ndeshje të Ligës së parë, kur të mërkurën “kuqezinjtë” po në Strugë do të mirëpresin Skopjen.

Te këta të fundit, debutimin e tij pret ta bëjë edhe sulmuesi i deritanishëm i FC Shkupit, Anid Abazi.

Leave a Reply