Talenti kumanovar, Atdhe Kadriu flet për përgatitjet e Makedonija Gj.P në Medulin të Kroacisë

Skuadra e Makedonija Gj.P në Medulin të Kroacisë po zhvillon fazën e përgatitjeve në prag të stinorit pranveror, ndërsa gjatë ditës së sotme skuadra që udhëhiqet nga strategu shqiptarë, Muharem Bajrami zhvilloi një ndeshje kontrolluese kundër ekipit Kobi nga Gjeorgjia, në kuadër të turneut “Arena Cup”.

“Ishte një ndeshje e mirë nga ana e jonë. Unë jam aktivizuar 30 minuta dhe them se jam i kënaqur nga paraqitja ime. Ndryshe kjo është dita e tretë në përgatitjet dimërore në Medulin të Kroacisë. Kushtet për stërvitje janë shumë të mira, stërvitemi nga dy herë në ditë”, deklaroi për Open-TV Atdhe Kadriu, mesfushori qendror i “luanëve” nga Gjorçe Petrovi.

“Ndeshjen e radhës në këtë turne e luajmë me 9 janar kundër skuadrës së Istrës nga Pula, ndërsa fazën e grupeve e mbyllim me ndeshjen kundër Arsenal nga Tivat më 11 janar. Nëse e zëmë vendin e parë në grup, atëherë luajmë në finale të turneut”, shtoi ai.

“Në sezonin pranveror hyjmë me ambicie për të fituar kupën, pasi jemi në çerekfinale”, thotë me optimizëm Atdhe Kadriu, i cili në sezonin e kaluar luajti në formë huazimi te Korabi i Dibrës.

Kujtojmë, Makedonija Gj.P pjesën e parë të sezonit vjeshtorë e përfundoi në vendin e 7-të me 20 pikë. Stinorin pranveror skuadra e Bajramit e nis me ndeshjen kundër Akademia Pandev si vendas. (Open-TV)

Leave a Reply