Struga Trim Lum fiton derbin me FC Shkupin, Shkëndija bind ndaj Rabotniçkit

Struga Trim Lum ka fituar derbin shqiptarë kundër FC Shkupit, duke vazhduar të ruajë pozitën e parë në renditje me shumë meritë, edhe atë duke filluar që nga xhiroja e parë, shkruan “infOSport.mk”.

2:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi, me të tre golat e shënuar nga pika e bardhë. Ndeshja nisi me matjen e forcave, ndërsa ashtu si po kalonin minutat, ndeshja ashpërsohej, duke dhuruar duele të shumta në mesfushë.

Struga Trim Lum në këtë periudhë kishte më shumë në posedim topin dhe përmes disa aksioneve të rrjedhshme, ku bienin në sy pasimet e shkurtëra dhe të sakta, fillimisht në minutën e 9-të u kanosën përmes Besmir Bojkut, derisa në minutën e 22-të përfituan një penalti, pasi Maleski u ndal në mënyrë të palejuar nga portieri shkupjan, Naumovski.

Përgjegjësinë e këtij ekzekutimi e morri Bunjamin Shabani, i cili nuk gaboi dhe me shumë qetësi shënoi për 1:0.

Ky gol doli të jetë i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa pjesa e dytë na dhuroi të njëjtën fotografi, një futboll me një intensitet të lartë në mesfushë, me shumë duele dhe shumë grindë, por edhe dy penalti të tjera.

Fillimisht në minutën e 89-të, Besart Ibraimi pasi përfitoi vetë një penalti, arriti që të shënojë golin e dytë në rrjetën e Naumovskit, ndërkohë në minutën e 97-të, Fredy Alvarez doli të jetë i saktë nga pika e 11-metërshit, duke vendosur rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Struga Trim Lum 2, FC Shkupi 1.

NDESHJET TJERA – Shkëndija u rikthye në identitet, duke mundur Rabotniçkin në një lojë bindëse me shifrat 3:1. Klisman Cake shënoi vetëm pas 10 minutave lojë, derisa bullgari Nasko Milev dyfishoi rezultatin në minutën e 28-të, pas një harkimi të Çinarit.

Pjesa e dytë doli të jetë më e barazpeshuar, me nga një gol në secilën anë. Fillimisht boshnjaku Mustafa Mujezinoviç në minutën e 82-të pasi përfitoi një top para zonës kundërshtare, arriti që të shënojë golin debutues me fanellën “kuqezi”, ndërkohë në minutat shtesë të takimit, Anes Rusheviç shënoi golin e nderit për “romantikët”.

Makedonija GJ.P avansoi herët përballë Skopjes me golin e  Lemos (2’), mirëpo të njëjtën skuadrës së trajnerit Muharem Bajrami i’a mohoi sulmuesi i talentuar shqiptarë, Bujar Hajdari me golin e realizuar në minutën e 94-të.

Akademia Pandev pa shumë probleme mundi Pobedën me shifrat 3:0, falë golave të shënuar nga Marko Gjorgievski (3’), Kristijan Velinovski (70’) dhe Mario Vrdoljak (72’), ndërkohë Bregallnica me një lojë të bukur mundi Sileksin në Kratovë me rezultatin 2:1. Gjorgji Gjorgjiev gjatë pjesës së parë dhe David Kallpaçki në fillimin e pjesës së dytë shënuan golat për skuadrën nga Shtipi, derisa golin e nderit për skuadrën e trajnerit Gorazd Mihajllov e realizoi Filip Stojçevski në minutën e 94-të.

Këtë xhiro i lirë ishte Tikveshi, që pas kësaj xhiroje renditet në pozitën e 6-të, ndërkohë Struga Trim Lum sezonin e rregullt e mbyll në pozitën e parë me 42 pikë, 4 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 22

Struga Trim Lum 2:1 FC Shkupi
Shkëndija 3:1 Rabotniçki
Sileksi 1:2 Bregallnica
Skopje 1:1 Makedonija GJ.P
Ak.Pandev 3:0 Pobeda
Tikveshi i lirë  

Leave a Reply