Hidhet shorti në Ligën e Kampionëve, ndeshje të “zjarrta” na presin në çerekfinale

Fituesi aktual i Ligës së Kampionëve, Real Madridi do të përballet sërish me Çelzin, një nga ish skuadrat e trajnerit Karlo Ançeloti. Kështu vendosën goglat e shortit të sotëm për ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.

Të dyja këto skuadra u takuan edhe sezonin e kaluar, teksa “madrilenët” kishin kaluar më tej me rezultatin e përgjithshëm 5:4.

Në gjysmëfinalen e sezonit 2020/21, fitues i përgjithshëm kishte dalë Çelzi, skuadër kjo që në fund edhe kishte arritur të fitojë trofeun e ligës më prestigjioze europiane në nivel klubesh.

Fituesi nga ndeshja Real Madrid – Çelzi për një vend në finalen e madhe do të luaj kundër fituesit nga përballja Mançester Siti – Bajern Munih, një tjetër përballje shumë interesante në kuadër të ndeshjeve çerekfinale.

Tre skuadrat italiane, që siguruan një vend për në ndeshjet çerekfinale, u shortuan në vazon e njëjtë, ashtu që shumë lehtë mund të ndodhë që të kemi një gjysmëfinale që do flas italisht, e që automatikisht pas disa viteve do na jepte edhe një skuadër finaliste nga Italia në Ligën e Kampionëve.

Interi në këtë fazë do të përballet me Benfikën, derisa Milani do të luaj kundër Napolit.

Milani historikisht është klubi i dytë më i suksesshëm në kuadër të Ligës së Kampionëve pas Real Madridit, derisa Napoli për herë të parë do të luaj në një ndeshje çerekfinale të këtij kompeticioni. Ndërkohë Interi është klubi i fundit Italian, që kishte triufmuar në Ligën e Kampionëve. Një gjë e tillë kishte ndodhur gjatë vitit 2010, kur “zikaltërit” udhëhiqeshin nga portugezi, Zhoze Murinjo.

Ndeshjet e para çerekfinale në program janë me datë 11 dhe 12 prill, ndërsa ato kthyese me datë 18 dhe 19 prill. Ndeshjet e para gjysmëfinale në program janë me datë 9 dhe 10 maj, ndërsa ato kthyese një javë më vonë.

Finalja e madhe në program është me datë 10 qershor në Stamboll. (infOSport.mk)

Leave a Reply