Mazrekaj: Struga Trim Lum në nivelin e Tiranës dhe Partizanit

Struga Trim Lum po përgatitet për debutimin e saj në Ligën e Kampionëve, aty ku do të takohet me 10 herë kampionët e Lituanisë, Zhalgiris.

Në prag të sfidës së parë, që në program është me datë 11 korrik, skuadra strugane ka zhvilluar disa ndeshje kontrolluese, edhe atë me skuadrat më të mira nga Shqipëria dhe Kosova.

Struga Trim Lum luajti ndaj kampionëve të Kosovës, Ballkanit, por edhe kampionëve dhe nënkampionëve të Shqipërisë, Partizanit dhe Tiranës.

Pas ndeshjes së fundit ndaj Tiranës, për “SuperSport” ka folur Mentor Mazrekaj, i cili këtë verë iu bashkua skuadrës kampione të Struga Trim Lum.

Ai te kjo skuadër erdhi nga rradhët e Laçit, aty ku kishte luajtur për tre vite të plota. Duke njohur mirë kampionatin shqiptarë, Mazrekaj thotë se Struga e tij qëndron në të njëjtin nivel me Tiranën dhe Partizanin, ndërkohë sa i përket raportit të ngushtë me trajnerin, Duro, shprehet se të dy e njohin në mënyrë të përsosur njëri-tjetrin.

“Jemi paraqitur mirë në ndeshje, nuk ka rëndësi rezultati sepse e kemi mendjen te ndeshjet europiane dhe po përgatitemi për to. Por, jemi në një nivel me dy skuadrat më të mira të kampionatit shqiptar (Tirana dhe Partizani) edhe pse kemi humbur, kemi luajtur më mirë se ato. Është hera e parë për Strugën në Champions dhe objektivat janë që të kalojë një raund, kemi lojtarë me përvojë si Ibrahimi dhe Shabani. Ta shohim, ndeshjen e parë jemi 50 me 50, ata kanë më shumë përvojë. Edhe për mua është aventura e parë në Champions, viti i katërt që bashkëpunoj me trajner Duron, kemi një simpati për njëri-tjetrin. E njohim gjuhën e njëri-tjetrit në mënyrë perfekte”, është shprehur Mentor Mazrekaj, i cili te Struga Trim Lum do mbaj veshur fanellën me numër 5.

Leave a Reply