Pauza i shkon për “shtat” Struga Trim Lum, pak “frymëmarrje” për Duron dhe lojtarët

Struga Trim Lum është skuadra e vetme nga Liga e Parë që ka më shumë ndeshje në këmbë, teksa vetëm një javë më parë mbylli aventurën në Ligën e Konferencës, aty ku arriti të shkruaj historinë, duke prekur fazën e ndeshjeve ‘play-off’.
Struganët e nisën këtë sezon me fitore, ndërsa kanë për të luajtur edhe 3 ndeshje të mbetura.

Gjithësesi pauza e kampionatit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueses së Maqedonisë, të vlefshme për Euro 2024 i ka shkuar për “shtat” struganëve

Shpëtim Duro duke pasur disa ditë më shumë në dispozicion ka vendosur t’u japë lojtarëve 5 ditë pushimi, një mënyrë kjo që lojtarët të rifitojnë energjitë e humbura dhe të rindezin “motorët” për ndeshjet që i presin në kampionat.

Gjithashtu pauza e kombëtares vjen në një moment të duhur për kampionët e vendit, të cilët në stërvitje do të rikthehen ditën e hënë për të nisur përgatitjet për duelin me Bregallnicën, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 7-të në LPFMV.

Kjo përballje do të luhet në stadiumin e qytetit në Shtip me datë 17 shtator. (infOSport.mk)

Leave a Reply