Hapet tenderi për rikonstruimin e stadiumit, Tetova bëhet me stadium modern

Komuna e Tetovës gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ka shpallur tenderin për rikonstruimin e stadiumit të qytetit.

Sipas shpalljes publike të bërë nga ana e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, lënda e kontratës së prokurimit publik është ndërtim dhe rikonstruim i objekteve sportive, ndërkaq vlera e parashikuar është 600.000.000 denarë pa TVSH, që i bie rreth 9.7 milionë euro.

Sipas tenderit punimet duhet të mbarojnë brenda 3 viteve, ashtu që Shkëndija e Tetovës sezonin 2026/27 mund ti luaj për herë të parë para publikut tetovar ndeshjet e saj europiane.

Ndërkohë Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami përmes profilit të tij zyrtarë në facebook, është lëvdëruar se e ka mbajtur fjalën e dhënë para qytetarëve lidhur me stadiumin, duke pasur parasysh se e gjithë Tetova jeton për futboll, apo më mirë thënë jeton për Shkëndijën.

“ Mbajmë fjalën e dhënë, sepse premtimet tona nuk janë vetëm fjalë boshe. Në vetëm dy vjet qeverisje realizojmë atë që të tjerët me dekada nuk arritën ta bëjnë! Tetova me stadium 🏟️ modern!”, ka shkruar Kasami në Facebook.

Leave a Reply