Observatori i futbollit “CIES” vlerëson një shqiptar mes talenteve botërorë

Observatori i futbollit, “CIES” ka publikuar së fundmi raportin mujor me listën e futbollistëve të rinj më premtues, “Future Champions” të cilët janë pjesë e kampionateve të ndryshme në botë dhe që i përkasin vitlindjes 2003 ose më vonë.

Kjo listë është bazuar jo vetëm në minutat e luajtura të futbollistëve në kampionat me klubet përkatëse, por edhe në minutazhin që kanë pasur në ekipet kombëtare gjatë këtij viti si dhe nëse i kanë nisur ndeshjet nga minuta e parë e takimit.

Në këtë listë bënë pjesë edhe mbrojtësi i talentuar i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij fantastike në radhët e ekipit kuqezi, gjatë ciklit eliminatorë për Europianin e vitit të vitit 2024, aty ku Shqipëria do të luaj për herë të dytë në një event të madh futbollistik, pas atij në vitin 2016.

Talenti shqiptar, i cili luan me Lokomotivën e Moskës, ka marrë këtë vlerësim të rëndësishëm nga Observatori i Futbollit “CIES”, duke u renditur si i 14-ti në listën e 30 lojtarëve më të mirë të moshës së tij, të cilër luajnë në krahun e majtë të mbrojtjes.

Në këtë listë, Mario Mitaj renditet përkrah emrave të tillë si Balde, futbollist i Barcelonës, Colwill, lojtar i Chelsea-t, Netz, futbollist i Borussia M’gladbach e të tjerë.

Vlerësimi që i bëhet lojtarit kuqezi është një lajm i mirë jo vetëm për vetë Mitajn, por edhe për Kombëtaren shqiptare.

Observatori i futbollit “CIES” është një grup kërkimor brenda Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive, një qendër studimi e pavarur, me seli në Zvicër, e specializuar në analizën statistikore të futbollit dhe është krijuar në 2005 nga Dr. Raffaele Poli dhe Dr. Loïc Ravenel.

Leave a Reply