ZYRTARE, Dashmir Elezi vazhdon karrierën në Kroaci te skuadra e Lokomotivës

Sulmuesi i talentuar i Shkëndijës, Dashmir Elezi edhe zyrtarisht është pjesë e skuadrës së Lokomotivës së Zagrebit, skuadër kjo që garon në elitën e futbollit kroat.

Klubet janë dakorduar për kushtet e këtij operacioni, ndërsa përveç dëmshpërblimit Shkëndija mban edhe 10% të vlerës së kartonit për transferimin e ardhshëm eventual të Elezit, i cili u rrit në shkollën e futbollit Shkëndija, derisa me vetëm 16 vite ishte debutuesi dhe golashënuesi më i ri në historinë e klubit nga Tetova në një ndeshje zyrtare.

Tashmë 4 sezone jo të plota është pjesë e ekipit të parë të Shkëndijës, për të cilën skuadër ka zhvilluar 90 paraqitje zyrtare (78 kampionat, 4 Kupë dhe 8 Evropë), duke realizuar edhe 13 gola, ndërsa i njëjti ishte pjesë e titullit kampion në sezonin 2020/2021.

Kujtojmë, vitin e kaluar Elezi kaloi në Gjeorgji te Torpedo Kutaisi, mirëpo i njëjti vetëm pas disa ditëve kërkoi që të anulojë atë transferim, duke u rikthyer te Shkëndija.

Tashmë, Elezi me pjekurinë e duhur shpresojmë të ketë bërë hapin e madh drejt karrierës së tij të bujshme, duke parë skuadrën e Lokomotivës së Zagrebit, si trampolinë për tu transferuar diku në Europë.

Te Lokomotiva e Zagrebitkjo kanë milituar shumë futbollistë shqiptarë, dhe ende vazhdojnë të militojnë, teksa Elezi te kjo skuadër do të gjejë ish futbollistin e Rabotniçkit, Feta Fetai, anëtarin e përfaqësueses shpresa të Shqipërisë, Jon Mersinaj, si dhe futbollistin shqiptarë me origjinë nga Kosova, Art Smakaj. (infOSport.mk)

Leave a Reply