Tikveshi rrëmben talentin shqiptarë nga Velesi, 18-vjeçarin Ahmeti

Tikveshi, skuadër kjo që për herë të parë në historikun e saj do të prezantojë Maqedoninë në garat europiane, ishte shumë aktiv në merkaton e kësaj vere, teksa së fundmi kjo skuadër ka bërë për vete edhe talentin shqiptarë nga Velesi, Muhamet Ahmeti, njofton “infOSport.mk”.

Ahmeti është vetëm 18-vjeçar, ndërsa edhe ai si shumica e lojtarëve të rinj nga Velesi, hapat e parë i kishte bërë te skuadra e qytetit, FK Borec.

“Fillimisht më vjen mirë që ju si media, si infosport.mk, keni vendosur të shkruani për mua, pasi sinqerisht neve shqiptarët e kësaj ane (Velesit) jemi disi të haruar thuajse në të gjitha sferat. Edhe përkundër kushteve të vështira që kam pasur, unë asnjëherë nuk jam dorëzuar, edhe pse kam pasur problem edhe gjuhën, sidomos kur isha i ri, mirëpo falë përkrahjes së familjes time dhe rrethit më të ngushtë, unë gjithnjë kam gjetur forcë për të vazhduar dhe për të punuar pa ndërprerë. Si duket tashmë puna ime ka dhënë frytin e parë, pasi realisht ishin vetë drejtuesit e Tikveshit që më kontaktuan dhe që më ofruan kontratë” – u shpreh fillimisht Muhamet Ahmeti, i cili beson se skuadra nga Kavadari do të jetë një trampolinë në karrierën e tij dhe se kjo do ta ndihmojë atë për të ecur para në karrierë.

“Besoj që fati të jetë me mua, pasi vërtetë jam shumë i kënaqur me kushtet e ofruara. Duke pasur parasysh se Tikveshi këtë vit do të luaj edhe në Europë, besoj se kam bërë zgjidhjen e duhur dhe se përmes kësaj skuadre, duke treguar gjithë potencialin që kam, do të mund të transferohem në ndonjë skuadër edhe më të madhe, qoftë nga rajoni, apo edhe në Europë” – thotë Ahmeti, i cili si i ri kishte mbrojtur edhe ngjyrat e dy skuadrave të njohura shkupjane, Vardarit dhe FC Shkupit.

Edicionin e kaluar, Ahmeti ende pa mbushur të 18-tat kishte provuar veten të luaj me seniorët e Bellasicës në Ligën e Dytë.

Edhe pse ndoshta nuk kishte marrë minutazhin e duhur te skuadra nga Strumica, Ahmeti, që luan si sulmues i krahut të majtë, në maksimum kishte shfrytëzuar ato minuta që kishte pasur në disponim, ndërsa talentin e tij e kishte vërejtur vetë trajneri i Tikveshit, Gjorgji Mojsov, që kishte insistuar në transferimin e tij.

Ahmeti me Tikveshin ka nënshkruar kontratë një vjeçare. (infOSport.mk)

Leave a Reply