FC Shkupi në prag të sezonit të ri futbollistik, përmes një konference për media ka prezantuar sponzorin e ri gjeneral. Bëhet fjalë për një kompani nga Qipro që merret me biznese hotelerie, me emrin “Pasha Group”.
Presidenti i klubit nga Çairi, Olgun Aydin, së bashku me një përfaqësues nga sponzori i ri gjeneral, konfirmuan bashkëpunimin mes tyre, duke thënë se FC Shkupin e presin ditë të mira.
“Dua të falënderoj kompaninë ‘Pasha’ për fillimin e bashkëpunimit të ri. Ky sponsorizim është një hap i madh për ne dhe për futbollin në Maqedoni dhe është një nga sponzorët më të mëdhenj që hyn në Maqedoni tek një klub. Gjithashtu, ne planifikojmë të punojmë për një projekt të ri së bashku me ta, në mbështetjen e shtetit”, – u shpreh numri një i FC Shkupit, Olgun Aydin.
Sponzori i ri i FC Shkupit, kompania “Pasha Group”, është edhe sponsor i disa klubeve të mëdha turke, si: Fenerbahçe, Beshiktash, Trabzonspor, Goztepe, Konya, Antalia, etj.
FC Shkupi ka bërë shumë ndryshime në formacion, duke sjellë futbollistë ndoshta jo edhe shumë të njohur për tregun tonë të futbollit, por që realisht sipas paralajmërimeve pritet të ngritin nivelin e klubit nga Çairi, që edhe këtë vit pritet të jetë në mesin e skuadrave pretendente për titull, së bashku edhe me Shkëndijën dhe kampionët në fuqi të Struga Trim Lum. (infOSport.mk)