Numri 1 i Tikveshit, Sezer Bravo flet për largimet, transferimet e reja si dhe për objektivat!

Tikveshi do jetë shembull, do krijojmë një kulturë të qëndrueshme futbolli. Ky është qëllimi i numrit 1 të Tikveshit Sezer Bravo, për të cilin do të jetë ky edicioni i parë që do të udhëheq klubin nga Kavadari që nga fillimi i një sezoni të ri futbollistik në Maqedoni.

Ai te klubi nga Kavadari erdhi pjesën e dytë të sezonit të kaluar, ndërsa rezultatet ishin evidente që në fillimet e saj.

Tikveshi edicionin e kaluar e mbylli në pozitën e 5-të, ndërsa me siguri se me Sezer Bravon në krye kjo skuadër sezonin e ri do të pretendojë edhe ndonjë pozitë më lartë.

Presidenti turk i Tikveshit tashmë ka bërë edhe lëvizjet e para në klub, teksa nga skuadra nga Kavadari janë larguar plotë 11 futbollistë.

“Para së gjithash, dua të falënderoj të gjithë lojtarët që dhanë maksimumin për klubin tonë dhe me të cilët ndamë rrugët. U urojmë atyre suksese në pjesën tjetër të karrierës së tyre. Në shikim të parë, numri i futbollistëve të larguar mund të duket i lartë, mirëpo për këtë ekzistojnë arsye të ndryshme. Disa nga ata që u larguan janë futbollistë që vendosën të pensionohen dhe që realisht dhanë një kontribut të rëndësishëm për klubin tonë. Disa të tjerë ishin futbollistë që nuk kishin shumë minuta në dispozicion për të luajtur sezonin e kaluar. Disa prej futbollistëve tjerë beve ju ofruam mundësinë për të qëndruar në skuadër, por ata vendosën të shqyrtonin ofertat e tjera nga klube vendase dhe ndërkombëtare dhe të vepronin në përputhje me rrethanat.

Që kur morëm detyrën, kemi bërë plane jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen e Tikveshit. Për këtë arsye, po e formësojmë ekipin tonë në përputhje me një strategji konkrete. Qëllimi ynë nuk është vetëm të nënshkruajmë me lojtarë të mirë, por të ndërtojmë një ekip të përbërë nga lojtarë me karakter, të hapur për zhvillim dhe vlerat e të cilëve janë në përputhje me qëllimet e klubit. Këtë verë, lojtarë nga grupmosha të ndryshme dhe me profile të larmishme do t’i bashkohen ekipit tonë. Ne po përqendrohemi veçanërisht te lojtarët që janë pjesë e ekipeve kombëtare të të rinjve, kanë potencial të lartë për zhvillim dhe do të rrisin standardin në stërvitjet tona.

Nuk duam të nxitohemi me transferimet. Bëjmë një analizë të detajuar të secilit lojtar, si në aspektin e aftësive të tyre sportive, ashtu edhe të karakterit të tyre. Dua që tifozët tanë të dinë se çdo lëvizje që bëjmë nuk synon vetëm suksesin afatshkurtër, por një të ardhme afatgjatë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të klubit.” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Sezer Bravo, i cili foli edhe për projektin e madh që ka me Tikveshin, por edhe objektivat e skuadrës viteve në vijim.

“Sezoni i kaluar ishte një periudhë tranzicioni dhe analize për ne. Ne fillimisht e njohëm klubin, identifikuam disa nga fushat për përmirësim dhe hartuam planet tona për të ardhmen. Pavarësisht kësaj, ekipi ynë tregoi përparim të ndjeshëm në gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa një gjë të tillë pamë që reflektoi në fushë.

Megjithatë, këtë sezon neve për herë të parë, po zbatojmë të gjithë planifikimin që nga fillimi i sezonit në përputhje me vizionin tonë. Çdo proces, nga struktura e stafit të trajnerëve deri te përzgjedhja e lojtarëve, zhvillohet brenda të njëjtit kuadër strategjik.

Tifozët tanë në sezonin e ri do të shohin një Tikvesh me një moshë mesatare shumë më të ulët, më shumë energji, me një tempo më të lartë dhe një fokus të orientuar në fitore. Në të njëjtën kohë, qëllimi ynë është të krijojmë një strukturë më të qëndrueshme të ekipit, të ndërtuar mbi kontrata afatgjate, që nuk kërkojnë ndryshime të mëdha gjatë çdo afati kalimtar.”

“Qëllimi ynë nuk është të arrijmë sukses vetëm brenda një sezoni. Ne duam të krijojmë një kulturë të qëndrueshme futbolli. Ne synojmë të investojmë në akademinë tonë të të rinjve, të zhvillojmë lojtarë të rinj, të zgjerojmë rrjetin tonë ndërkombëtar të vëzhguesve dhe ta bëjmë Tikveshin një klub të njohur në skenën evropiane të futbollit.

“Në vitet e ardhshme, qëllimi ynë është që Tikveshi të jetë një klub që do të shërbejë si shembull jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në futbollin rajonal. Për këtë qëllim, ne përpiqemi të hedhim themele të forta në kuptimin sportiv, organizativ dhe ekonomik.”

“Veçanërisht e rëndësishme për ne është ndërtimi i një lidhje të fortë midis klubit, qytetit dhe tifozëve. Tikveshi ka një traditë të pasur dhe mbështetje të madhe nga Kavadari, ndërsa detyra jonë është ta shndërrojmë këtë energji në një projekt të qëndrueshëm dhe ambicioz. Ne duam që çdo lojtar që do të veshë fanellën e Tikveshit të kuptojë përgjegjësinë që ka ndaj klubit dhe qytetit. Ne besojmë se me durim, planifikim të duhur dhe punë të vazhdueshme, Tikveshi mund të luftojë rregullisht për majat në futbollin e Maqedonisë.

Neve nuk po e ndërtojmë Tikveshin vetëm për rezultatet e ditës së sotme, por edhe për 10 vitet e ardhshme.”– vijoi Sezer Bravo, i cili foli edhe për ligën tonë, kualitetin që posedon e njëjta, por edhe qëllimet me Tikveshin në sezonin e ri dhe në ato që vijnë.

“Liga e Parë e Maqedonisë ka treguar zhvillim të ndjeshëm vitet e fundit. Niveli i konkurrencës është në rritje dhe klubet po përpiqen të krijojnë struktura më profesionale. Sidomos, nëse ndryshimet e zbatuara së fundmi nga federata dhe projektet që ajo planifikon për të ardhmen mund të zbatohen me sukses, besoj se Liga e Parë e Maqedonisë mund të bëhet një nga tregjet më tërheqëse të futbollit në Ballkan. Pikërisht edhe neve duam të jemi pjesë e këtij zhvillimi.

Megjithatë, duhet të jemi realistë. Qëllimi i garave evropiane është diçka që mund të arrihet vetëm përmes planifikimit të duhur dhe punës së vazhdueshme, jo vetëm përmes deklaratave.

Sigurisht, ne duam që Tikveshi të garojë në garat evropiane. Një klub me një bazë të tillë tifozësh dhe kulturë futbolli duhet të ketë qëllime ambicioze. Megjithatë, qasja jonë është të shkojmë hap pas hapi.

Prioriteti ynë është të bëjmë plane reale, të punojmë me kontrata të pranueshme, të ruajmë disiplinën financiare dhe të arrijmë rezultatet më të mira të mundshme në ligë dhe kupë pa rrezikuar të ardhmen e klubit.

Para së gjithash, qëllimi ynë është që për çdo sezon të ndërtojmë një ekip më të fortë, më konkurrues dhe më të qëndrueshëm. Nëse vazhdojmë me planifikimin e duhur, pjesëmarrja e Tikveshit në garat evropiane me siguri se një ditë do të jetë një ëndërr e arritshme.

Garat evropiane janë një objektiv i rëndësishëm për ne. Megjithatë, qëllimi ynë kryesor nuk është vetëm të kualifikohemi një herë në garat evropiane, por në klub të krijojmë një strukturë të aftë për të ruajtur një prani të vazhdueshme në atë nivel.” – deklaroi Sezer Bravo, i cili intervistën e mbylli me një thënie shumë të bukur, por edhe shumë optimistike, që realisht duhet të gëzoj tifozët e Tikveshit: “Neve nuk shesim ëndërra. Neve do punojmë shumë, ashtu që planifikojmë dhe do të përqëndrohemi për ta çuar klubin një hap para për çdo sezon”.

Leave a Reply