Shkëndija e Tetovës të dielën do të zhvillojë ndeshjen e saj të parë në kuadër të sezonit të ri futbollistik, 2026/27, njofton “infOSport.mk”.
Edhe pse në rolin e nikoqirit, skuadra nënkampione e vendit ndeshjen e xhiros së parë kundër FC Skopje do ta zhvillojë në Shkup, më konkretisht në stadiumin kryesor të FFM-së, “Petar Milloshevski”.
E gjithë kjo si pasojë e punimeve në stadiumin e qytetit të Tetovës, por ndoshta edhe pezullimit të skuadrës prej 4 ndeshjeve pa prezencën e tifozëve.
Kësisoj, skuadra tetovare duke pasur parasysh një gjë të tillë, ka vendosur që dy ndeshjet e para si vendas ti zhvillojë në Shkup, kjo ndoshta edhe për shkak vendimit të fundit të FFM-së, që pezullimin prej 4 ndeshjeve pa praninë e tifozëve, ta ulë në vetëm dy ndeshje.
Kjo nënkupton se rikthimi i tyre në stadiumin e qytetit të Gostivarit, që njëherit e kanë paraqitur zyrtarisht si stadiumin ku do ti zhvillojnë ndeshjet si vendas për gjatë edicionit 2026/27, do të realizohet me rikthimin e tifozëve të tyre të flaktë, “Ballistët”, që në secilën ndeshje janë futbollisti i tyre i 12-të.
Kështu, Shkëndija e Tetovës ndeshjen e javës së katërt, atë derbi kundër Struga Trim Lum do ta zhvillojë në Gostivar me prezencë të publikut. (infOSport.mk)
