Daniel Kehinde Akinlosotu është përforcimi më i ri i Struga Trim Lum. Bëhet fjalë për një futbollistë vetëm 20-vjeç, i lindur në Abaxhu, kryeqendrën e Nigerisë, mirëpo që si futbollistë është ndërtuar në Turqi, më saktësisht te skuadra e Alanyaspor.
Ai ka luajtur me skuadrën U19, teksa është stërvitur me ekipin e parë të skuadrës turke, që një periudhë të caktuar e kishte huazuar edhe te skuadra turko qipriote e Mormenekse GBSK.
Daniel Kehinde Akinlosotu gjatë ditës së sotme u prezantua nga ana e Drejtorit Sportiv të Struga Trim Lum, Besart Isaku, nën praninë e të cilit njëherit nënshkroi edhe kontratën e vlefshme deri me 30 qershor të vitit 2029.
Daniel Kehinde Akinlosotu pritet ti jap ngjyrë sulmit të Struga Trim Lum. Pozicioni i tij natyral është krahu i djathtë i sulmit, ndërsa gjithashtu mund të mbulojë edhe krahun e majtë.
Nigeriani i ri pasditën e sotme doli edhe në stërvitjen e tij të parë, e ku ashtu siç e don zakoni aty brenda fushës u mirëprit nga kryetimonieri i struganëve, Bledi Shkëmbi, që pritet të nxjerrë më të mirën nga ky futbollistë vetëm 20-vjeçar.

