Shkëndija nuk luajti vetëm kundër vetes, por edhe kundër Struga Trim Lum!?

Pavarësisht rolit të favoriti, pavarësisht buxhetit shumë më të madh, pavarësisht statistikave më të mira në duelet mes vete, Shkëndija sonte në Shkup humbi mundësinë që të sjellë në Tetovë trofeun e Kupës për herë të parë pas plotë 8 viteve, shkruan “infOSport.mk”.

Një gjë të tillë “kuqezinjtë” kishin bërë gjatë vitit 2018-të, kur në finale kishin mundur Pelisterin, ndërsa sonte në arenën “Todor Proeski” në Shkup, dështuan të dalin fitues përballë Sileksit nga Kratova.

Ndeshjen finale, të 33-tën në historinë e Kupës së Maqedonisë, e vendosi një gol i shënuar në minutën e 71-të nga boshnjaku Ado Aliç.

Ishte kjo një fitore befasuese e Sileksit, skuadër kjo që në këtë mënyrë siguroi një vend për në Europë sezonin e ardhshëm, e ku deri sonte shpresonte edhe Struga Trim Lum.

Me fitore eventuale të Shkëndijës, do ishte skuadra strugane që do të luante në Europë, duke nisur nga raundi i parë, edhe atë në vazon e skuadrave favorite në Ligën e Konferencës.

Kështu disfata e Shkëndijës jo që zhgënjeu vetëm tifozët tetovar, por edhe ata strugan, pasi Struga Trim Lum, në këtë mënyrë nuk do të mund të luaj në garat europiane, aty ku kishte luajtur tre herë deri më tani. (infOSport.mk)

Leave a Reply