Arbitra slloven për derbin e madh shqiptarë, Partizani-Kukësi

Ndeshja e shumë pritur derbi e javës së 32-të në Superligën shqiptare midis Partizanit dhe Kukësit do të drejtohet nga arbitër slloven. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij takimi, që mund të vendos edhe për titullin e kampionit , FSHF-ja kishte pranuar kërkesën e nikoqirëve të Partizanit, që këtë ndeshje ta drejtojnë arbitra të huaj.

Takimi i nesërm derbi mes dy skuadrave të para në tabelë që kanë pikë të njëjta, do të drejtohet nga 36-vjeçari Matej Jug, i cili gjatë muajve të fundit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shqipërinë.

Ai drejtoi takimin miqësor në “Loro Boriçi” mes Shqipërisë dhe Marokut, që u mbyll në barazim pa gola. Ndërkaq, kontaktin e dytë më Shqipërinë, ai e kishte pak më shumë se një muaj më parë, në sfidën mes Italisë dhe Shqipërisë, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2018. Jug ishte gjyqtar i katërt në sfidën e luajtur në Palermo.

Ndeshja Partizani – Kukësi zhvillohet sot në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë me fillim nga ora 19:00.

Leave a Reply