Jakupi: Shkojmë në Strumicë për të marrë edhe Kupën

E diela në futsalin vendor është e rezervuar për ndeshjen finale të Kupës së Maqedonisë, ku mejdanin do të ndajnë kampioni i ri i Maqedonisë, Shkupi dhe skuadra nënkampione e Velesit, njofton “infOSport.mk”.

Këto dy skuadra deri në këtë fazë arritën me shumë meritë, ndërsa bazuar në ndeshjet mes tyre kampionale, edhe sot presim një ndeshje të barazpeshuar, ku fituesin pritet ta vendosin vetëm nuancat.

“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Të gjithë jemi në disponim të mirë dhe shkojmë drejt fitores edhe në këtë ndeshje finale. Të gjithë lojtarët jemi në formë të mirë, jemi maksimalisht të përgatitur për këtë ndeshje, ashtu që shpresojmë se edhe kësaj rradhe do jemi ne ata që do gëzohemi në fund” – tha enkas për “infOSport.mk”, gardiani i “bardhekaltërve” nga Çairi, Berat Jakupi.

Ai thotë se skuadra e tij e njeh mirë kundërshtarin dhe forcën që kanë ata, mirëpo beson se nëse paraqiten si në tre ndeshjet e deritanishme ndaj tyre, në fund fitorja do jetë për Shkupin.

“E dimë forcën e kundërshtarit dhe kualitetet që posedojnë. Pa dyshim se do jetë kjo një ndeshje e rëndë, duke pasur parasysh se neve jemi edhe me agjërim, megjithatë nuk dorëzohemi dhe them se nëse paraqitemi si në tre ndeshjet e deritanishme ndaj tyre në kampionat, atëherë edhe Kupa do jetë e jona” – përfundoi një ndër portierët më të mirë në elitën e futsalit vendor, Jakupi.

Do të jetë kjo ndeshja e katërt mes këtyre dy skuadrave gjatë këtij sezoni, dhe e para në kuadër të Kupës, pasi tre ndeshjet e deritanishme ishin kampionale.

Dy prej tyre u mbyllën me barazimin identik 3:3, ndërsa në një ndeshje Shkupi kishte shënuar fitore me rezultatin 2:1, fitore kjo që në fund ju solli atyre edhe titullin kampion.

 

Leave a Reply