ZYRTARE: Morata përforcon sulmin e Çelzit 

Alvaro Morata edhe zyrtarisht është një futbollist i ri i Çelzit. Edhe pse mendohej se sulmuesi spanjoll do të vesh fanellën e Milanit, si duket kushtet e ofruara nga ana e kampionëve në fuqi të Anglisë, kanë bindur sulmuesin e Realit të Madridit, që për herë të parë në karrierën e tij do të luaj në Premierligë.

Lajmin për transferimin e tij në Londër, e ka bërë vetë skuadra nga “Stemford Brixh” përmes faqes së saj zyrtare.

Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, Çelzi për shërbimet e Moratas do të paguajë plot 85 milionë euro. Ai me kampionët e Anglisë do të nënshkruajë një kontratë pesë vjeçare dhe do të përfitojë 9 milion euro në sezon, duke u bërë kështu futbollisti më i shtrenjtë spanjoll në histori.

Morata që ndodhej në Amerikë në përgatitje bashkë me Realin e Madridit, ka braktisur menjëherë tokën amerikane dhe është nisur drejt Londrës për të kryer testet mjekësore.

Morata në këtë mënyrë sërish bashkohet me trajnerin italian, Antonio Konte, me të cilin para tre vitesh ishin bashkë te Juventusi.

Leave a Reply