Osmani: Rezultat që na jep shpresa (VIDEO)

Shkëndija është mundur 2:1 nga Trakai në Lituani në ndeshjen e parë të raundit të tretë të eliminatoreve të Liga Europa,  mirëpo në bazë të rrjedhës së gjërave në fushë “kuqezinjtë” kanë rezultat aktiv para ndeshjes së kthimit, që në program është pas një jave në Strumicë.

Trajneri i skuadrës tetovare, Qatip Osmani vlerëson se Shkëndija kontrolloi ndeshjen, por pas dy kartonëve të kuq ky rezultat është i pranueshëm duke llogaritur golin e shënuar në transfertë, që sipas tij ka peshë të madhe.

“Sigurisht se pjesën e parë, pjesën më të madhe të ndeshjes e dominuam, ku krijuam edhe disa raste, e barazuam 1:1 dhe kishim disa raste të qindpërqindta të cilat nuk i realizuam. Ndoshta momenti vendimtarë i lojës ishte golin që e morrëm në fillim të ndeshjes, filluam në pjesën e dytë me një rast ku prap nuk e shfrytëzuam, që më pas të ndodhin ato dy kartonët, ku është vështirë të luash me dy futbollistë më pak, por megjithatë kur ti analizojmë ndodhitë në fushë mendoj se prap është një rezultat i hapur dhe rezultat që na jep shpresë për kualifikim” – tha Qatip Osmani pas përfundimit të ndeshjes në Vilinus të Lituanisë, ku skuadra e Shkëndijës pësoi disfatën e parë gjatë këtij edicioni në garat evropiane.

Leave a Reply