Shkupi sot nikoqir i spektaklit botëror Real Madrid – Mançester Junajted

Qyteti i Shkupit sot do të jetë në fokusin e vëmendjes jo vetëm të opinionit, vendor dhe evropian por edhe të atij botëror. Kryeqendra jonë ka privilegjin që të gostisë dy prej tre klubeve më të pasura dhe më të njohura botërore, Real Madridin dhe Mançester Junajtedin, skuadra këto që sonte në “Telekom Arena” do të luftojnë për trofeun e UEFA Super Kupës 2017.

Të dyja skuadrat mbërritën dje në aeroportin “Aleksandri i Madh” prej ku, nën masa rigoroze të sigurisë, janë transferuar në hotelet në të cilat qëndrojnë, Real Madridi në “Aleksandar Pallas”, ndërsa Mançester Junajted në “TCC Grand plaza”. Edhe krahas paralajmërimeve të mediave spanjolle se në Shkup nuk do të vijë Kristiano Ronaldo, ai është pjesë e “ekipit mbretëror”.

Ronaldo filloi të stërvitet me skuadrën para tri ditësh, por nuk dëshiroi ta humbas ndeshjen e sontme kundër ish-ekipit të tij. Se është i gatshëm e konfirmoi edhe trajneri i Realit, Zinedin Zidan i cili megjithatë, deri në fillim të ndeshjes do të mendojë nëse portugezi do të luajë nga starti.

Dy ekipet dje patën mundësi të njoftohen me terrenin në arenën “Filipi i Dytë” ku zhvilluan edhe stërvitjet zyrtare, ndërsa paraprakisht edhe takim me gazetarët në të cilat trajnerët Zhoze Murinjo dhe Zinedin Zidan nuk e fshihnin se në Shkup kanë ardhur që ta fitojnë trofeun e Super Kupës.

Dueli midis fituesit aktual të Ligës së Kampionëve, Real Madridit dhe Mançester Junajtedit si fitues i Liga Evropës, do të fillojë në ora 20:45, ndërsa nga FFM-ja apelojnë që të gjithë ata të cilët do ta ndjekin ndeshjen e Arenës Kombëtare “Filipi i Dytë”,  të jenë më herët të pranishëm në stadium, me qëllim që të ju shmangen turmave.

FFM gjithashtu apelon të respektohen të gjitha rekomandimet për spektaklin e sontshëm të futbollit të cilin pritet ta ndjekin mbi 500 milionë njerëz.

Leave a Reply