Kombëtarja shqiptare në futsal ftesë zyrtare për portierin e Shkupit, Berat Jakupi

Kombëtarja e Shqipërisë në futsal i ka bërë ftesë zyrtare portierit të Futsal Shkupit, Berat Jakupi, që ky i fundit të veshë fanellën “kuq e zi”, njofton “infOSport.mk”.

“Kuqezinjtë” një kohë më të gjatë interesoheshin për shërbimet e gardianit shkupjan, i cili me mjaft sukses është paraqitur vite me rradhë në portën e skuadrës nga Çairi.

Ai ishte njëri ndër lojtarët më standard te skuadra e Futsal Shkupit dhe kuptohet njëri ndër më meritorët për sukseset e kësaj skuadre.

Ai që nga fillimi i themelimit (viti 2014) ishte pjesë e Futsal Shkupit, duke qenë pjesë e asaj gjenerate që fillimisht u shpallën kampion në Ligën e Dytë, ndërsa gjithashtu ishte pjesë edhe gjeneratës së artë që sezonin e kaluar u shpallën kampion të Maqedonisë në futsal. Ai me Futsal Shkupin gjithnjë bënte paraqitje të shkëlqyeshme, ashtu siç bëri edhe në eliminatoret e Ligës së Kampionëve Europian sezonin e kaluar, mirëpo një gjë e tillë nuk mjaftoi asnjëherë, që Jakupi të merrë një ftesë nga ana e përfaqësueses së Maqedonisë.

Një gjë të tillë kanë shfrytëzuar në maksimum drejtuesit e Kombëtares së Futsalit të Shqipërisë, të cilët me siguri se në rradhët e tyre kanë përfituar një portier shumë cilësorë, i cili kualitetet e tij pritet që ti dëshmojë në turneun “Adem Jashari” në Kosovë, që do të mbahet me datë 3 dhe 4 mars. Në këtë turne përveç Shqipërisë dhe vendit organizatorë, Kosovës, do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e Maqedonisë, si dhe ajo e Maltës.

Leave a Reply