Alimi për ndeshjen me A. Pandev: Me mjaft seriozitet për të marrë atë që duam

Shkëndija e Tetovës sot në teren vendas do të mirëpret Akademia Pandevin në ndeshjen e javës së 21-të, njofton “infOSport.mk”.

“Kuqezinjtë” e Qatip Osmanit me fitore eventuale, kanë rastin që të zmadhojnë epërsinë e pikëve ndaj ndjekësit më të afërt Vardarit, skuadër kjo e cila dje humbi nga Rabotniçki. Motori i skuadrës së Shkëndijës në mesfushë, Armend Alimi në një prononcim për portalin tonë, tha se skuadra e tij duhet të tregojë vazhdimësi për të mbajtur rritmin, që njëherit do hapte rrugën drejt titujve, përfshirë këtu edhe kampionatin, edhe Kupën.

“Po përballemi me orar të ngjeshur që në start të gjysmësezonit pranveror, por ne jemi përgatitur mirë duke ditur prej paraprakisht se çka na pret. Kemi start të mirë dhe duhet të tregojmë vazhdimësi për të mbajtur rritëm që do na hapë rrugën drejt titujve. Kupën tani përkohësisht e lëmë anësh dhe për ndeshjen e kthimit do të mendojmë kur të vijë koha, pasi ndërkohë na presin detyra të rëndësishme në kampionat. Të dielën presim Akademia Pandevin, skuadër për të cilën kemi respekt. Nuk na gënjen starti i dobët i tyre në gjysmësezonin pranveror dhe kësaj përballje do t’i qasemi me seriozitetin maksimal. Vetëm ashtu do të mund të marrim  rezultatin e dëshiruar që është fitorja”, – tha enkas për “infOSport.mk”. Armend Alimi.

Ndeshja Shkëndija – Akademia Pandev starton në ora 14:00.

Leave a Reply