Kosova dhe Shqipëria në “luftë” për 8 talentët shqiptarë që luajnë në Europë  

Kosovë – Shqipëri “Jemi Një”. Kjo parrullë dëgjohet thuajse në çdo ndeshje të kombëtares shqiptare të futbollit nga ana e tifozëve “kuqezi”, mirëpo megjithatë tashmë gjërat si duket kanë ndryshuar dhe që të dyja shtetet dëshirojnë të marrin më të mirën.

Përtej diplomacisë së dy federatave, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, tashmë është e qartë se për talentët shqiptarë që luajnë në Europë do të ketë një “luftë” të fortë mes dy vendeve shqiptare, që për fat të keq edhe pse kanë të njëjtat zakone dhe flasin gjuhën e njëjtë janë të ndara me territor, por edhe në sport.

Para disa viteve shqiptarët i bashkonte vetëm Kombëtarja me ngjyrat “kuqezi”, por me pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, kjo e fundit ka filluar të ndërtojë një skuadër të fuqishme, e cila madje në miqësoren e fundit doli të jetë më e mirë se kombëtarja e madhe. Pikërisht kjo ka ritur pretendimet e tyre, duke kërkuar që në rradhët e tyre të mbledhin më të mirën, ndërsa së fundmi përmes faqes së saj zyrtare në Tuiter, Federata Kosovare e Futbollit bën me dije se po bënë të gjitha përpjekjet për të bindur disa futbollistë, me në krye talentin e Bajernit të Munihut, Meritan Shabani, që të luajnë me përfaqësuesen e Kosovës.  Janë të njëjtët futbollistë, që edhe Shqipëria kërkon t’i marrë në organikën e saj.

Në listën e publikuar nga Federata e Kosovës janë 8 futbollistë, në mesin e të cilëve edhe Albian Ajeti dhe Florian Kamberi, të cilët më parë kanë thënë “Jo”, por gjithçka mund të ndodhë në vazhdim.

 

Futbollistët që kërkohen nga përfaqësuesja e Kosovës:
Meritan Shabani (Bajern Munih)
Mërgim Berisha (Magdeburg)
Elvis Rexhbeçaj (Volfsburg)
Florent Hadërgjonaj (Hadersfilld)
Shkëlqim Demhasaj (Lucern)
Florian Kamberi (Hibernian)
Albian Ajeti (Bazel)
Mirlind Kryeziu (Cyrih)

Leave a Reply