Hysaj: Unë jap maksimumin, Cana më ka vlerësuar shumë

Elseid Hysaj është një nga liderët e kombëtares shqiptare, por edhe më i stabilizuari në karrierën e tij me klube, pasi sapo ka nisur sezonin e tij të katërt si titullar me një skuadër të madhe europiane si Napoli.

Mbrojtësi shkodran tregon se jep gjithmonë 100 % në fushën e lojës, jo vetëm te kombëtarja, por edhe me klubin, ndërsa premton se ndaj Izraelit dhe Skocisë, do të shihet në fushë një tjetër skuadër, krahasuar me atë të miqësoreve pranverore.

Keni qenë në formë në fillim të kampionatit…
Jam i kënaqur me fillim e kampionatit. Është e mirë edhe për kombëtaren dhe unë do të përpiqem të bëj të njëjtin gjë edhe këtu.

Cana u ka cilësuar si pasardhësin tuaj?
Është vlerësim i madh. Kam qenë i vogël kur e shikoja, u ndjeva krenar kur mora shiritin. Unë ndihem mirë, bëj punën time, pastaj për shiritin do të shohim.

Sa ndjehen mungesat në Kombëtare?
Sadiku apo Roshi janë mungesa të mëdha, por ne jemi grup i mirë dhe kemi rikthyer edhe futbollistë me eksperiencë. Po krijojmë grup të mirë dhe jemi të bashkuar.

A ka shanse reale Shqipëria për në Europian ?
Thjesht duhet të shfrytëzojmë të gjitha shanset, pasi të gjithë i kanë mundësitë e tyre.

Jeni kritikuar shumë pas miqësoreve te gjysmës së parë të vitit?
Kemi ndryshuar shumë pas ndeshjeve të verës, të cilat ishin shumë keq. Atëherë kishte shumë faktorë, si pushimet, futbollistë të lodhur. Duhet t’i harrojmë sa më shpejt ato ndeshje dhe të bëjmë mirë në të radhës. Me karakterin që kemi ne shqiptarët, do të bëjmë shumë në fushë.

Si e shikoni ndeshjen me Izraelin?
Nuk duhet të mendojmë të kaluarën dhe duhet të jemi të qetë. Të fokusohemi te kjo mundësi që kemi për të shkuar në Europian. Jemi stërvitur mirë dhe jemi gati. E kemi kuptuar se janë ndeshje zyrtare dhe jo miqësore. Ne nuk duhet t’i falim minuta Izraelit, siç bëmë këtu ndeshjen e parë. Kishim mundësi t’i fitonim të dyja ndeshjet. Ajo që duhet të bëjmë tani është përqendrimi. Kemi një trajner të ri dhe mendime të reja. E dimë ku duhet të përmirësohemi. Të gjithë duhet të kemi një gjë në tru, kualifikimin në Europian. Do të ishte një gjë e madhe dhe entuziazmi nuk na mungon.

Thuhet se në kombëtare nuk jepni atë që jepni me Napolin. Keni një koment për këto zëra?
Kur dal nga loja unë jam i qetë me veten sepse jap 100% gjithmonë. Unë këtu vij për qejfin tim, sepse dua t’i jap një dorë vendit tim. Sepse dua të bëj diçka për vendin tim. Pjesa tjetër nuk më intereson.

Gjithsej të etiketuara

Leave a Reply