Akademia Pandev-Renova, statistika dhe kuriozitete rreth këtij takimi

Akademia Pandev po zhvillon një super sezon, ku në 6 xhirot e para ka arritur 5 fitore dhe vetëm një disfatë. Për dallim nga Akademia Pandev, skuadra e Renovës tashmë 5 xhiro me rradhë nuk dinë për fitore. Ata fitoren e vetme këtë edicion e kishin regjistruar që në takimin e xhiros  së parë, kur kishin mundur Rabotniçkin.

RENOVA MBETI PA TRAJNER

Pikërisht kjo seri negative e rezultateve bëri që trajneri Jeton Beqiri të jap dorëheqje, ndërsa ksuadrën e Renovës gjatë ditës së sotme pritet ta drejtojë ndihmësi i tij i deritanishëm, Agron Memedi.

MEMEDI EDHE MË PARË UDHËHIQTE RENOVËN

Kjo nuk do të jetë hera e parë që Memedi do të udhëheq Renovën, pasi futbollisti i kahmotshëm i skuadrës nga Xhepçishti një gjë të tillë kishte bërë edhe ka fundi i sezonit të kaluar, kur kishte zëvendësuar Vlatko Kostovin e shkarkuar. Ai si trajner i parë i Renovës kishte debutuar me 15 prill të këtij viti, edhe atë me fitore ndaj Pobedës, kur në Tetovë kishte shënuar fitore me rezultatin 2:1. Mbetet të shihet nëse Memedi edhe këtë herë do i’a arrijë qëllimit që me fitore të debutojë në bankinën e skuadrës nga Xhepçishti.

MUNGESAT

Në këtë ndeshje trajneri i vendasve të Akademia Pandev, Jugosllav Trençovski nuk do të mund të llogarisë sërish në shërbimet e Goran Tomovskit (tre ndeshje si titullar) dhe mbrojtësit titullarë Filip Mihajllov, i cili mungoi edhe në ndeshjen e fundit ndaj Sileksit.  Në anën tjetër te Renova mungesa e vetme do të jetë ajo e Xhelil Abdullah, që përveç takimit të sotshëm pritet të mungojë edhe në ndeshjen e fundjavës kundër Renovës në Tetovë.

HISTORIA

Këto dy skuadra 4 ndeshjet e vetme zyrtare mes tyre i kanë zhvilluar gjatë sezonit të kaluar, ku Akademia Pandev si vendas kishte regjistruar një fitore minimale (1:0) dhe një barazim (1:1), teksa në dy ndeshjet në Tetovë ishte dorëzuar, duke pësuar disfata (2:1 dhe 3:1). Gëzon fakti se në ndeshjet mes këtyre skuadrave ka pasur gola, ndërsa po ashtu pritet të jetë edhe në ndeshjen e sotme, për më tepër  që skuadra e Akademia Pandev, që njëkohësisht edhe kryeson renditjen me 15 pikë, në tre ndeshjet e fundit ka shënuar 13 gola, apo nga 4.3 gola për ndeshje. 4 gola Akademia Pandev shënoi në fitoren e së dielës në transfertë ndaj Pobedës, 6 të tjerë në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë në transfertën ndaj Bregallnicës, ndërsa 3 gola kishte realizuar edhe në ndeshjen e fundit si nikoqir ndaj Sileksit.

Në anën tjetër Renova vuan golin, pasi në 5 ndeshjet e fundit kampionale ka realizuar vetëm 1 gol.

FUTBOLLISTË TË DALLUAR

Te skuadra e Akademia Pandev përveç kapitenit Lupço Doriev, që ka shënuar 4 gola në 6 xhirot e deritanishme, gjithnjë e më shumë po spikat futbollisti i talentuar Mario Krstovski, i cili në ndeshjen e fundit ndaj Pobedës në Manastir, edhe pse nuk shënoi, luajti një rol të rëndësishëm, ndërsa në ndeshjen e Kupës kundër   Bregallnicës, i njëjti kishte realizuar 4 gola në atë fitore të madhe 2:6.

Në anën tjetër te Renova  në mungesë të ndonjë ylli të veçantë mund të veçohet Argjent Gafuri si dhe kapiteni Fisnik Nuhiu, ndërsa në formë jo të mirë ndodhen futbollistët e mbrojtjes me në krye portierin, Kobetiç.

Leave a Reply