Bejtullai: Respekt për Kosovën por ne e duam kualifikimin

Ish mbrojtësi i Shkëndijës, Egzon Bejtullai, që aktualisht luan me ekipin suedez të Helsinborgut, në një intervistë për “Gazeta Express” të Kosovës, ka folur për takimin e shumë pritur gjysmëfinal të Ligës së Kombeve, midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

26 vjeçari thotë se kjo ndeshje është e rëndësishme për të dyja përfaqësueset, që synojnë kualifikimin historik në një Kampionat Europian të futbollit.

“Rëndësia që e bart në vete kjo ndeshje dhe fakti që përmes këtij takimi dhe finales eventuale mund të sigurohet Kampionati Evropian, kuptohet se i jep përballjes një peshë tjetër dhe ju bind se secili futbollist, qoftë i Kosovës apo Maqedonisë, e pret me padurim. Normal që në mes nesh ekziston respekt i madh dhe i ndërsjellë dhe si profesionistë që jemi, e dimë se bëhet fjalë vetëm për një ndeshje futbolli”, – është shprehur Bejtullai për “Gazeta Express”.

Fituesi i këtij dueli do ta ketë mundësinë jetësore më pas që ta sigurojë kualifikimin historik në Euro 2020, me një fitore eventuale në finale ndaj Gjeorgjisë ose Bjellorusisë.

Për këtë mundësi të artë është i vetëdijshëm edhe vetë futbollisti shqiptar, i cili mund ta realizojë ëndrrën e tij për të luajtur në një Kampionat Europian për herë të dytë gjatë karrierës së tij, mirëpo kësaj rradhe me ekipin senior.

“Kjo është ajo që kësaj ndeshje i jep peshë jashtëzakonisht të madhe për të dyja përfaqësueset. Është një ëndërr e madhe për secilin dhe shumë e shumë gjenerata më parë, asnjëherë nuk janë gjetur para një rasti të këtillë. Duke e parë se edhe Kosova ashtu si ne, asnjëherë më parë nuk ka qenë në një Evropian për seniorë, rezulton që të jemi para ndeshjeve më të rëndësishme në histori. Edhe pse jo në kategori të seniorëve, por gjithsesi unë kam qenë me fat ta shijoj të qenit pjesë e një Evropiani pasi në vitin 2017 me Përfaqësuesen U-21 të Maqedonisë ishim pjesë e Evropianit në Poloni. Është diçka unike, që uroj ta bëjmë edhe me ekipin e seniorëve”, nënvizoi Bejtullai.

Ndeshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës pritet të zhvillohet me 26 mars në arenën “Todor Proeski” në Shkup, mirëpo  pa praninë e tifozëve, gjithnjë nëse UEFA nuk vendos për shtyrjen e saj përfundimisht nesër.

Leave a Reply