Bunjaku: Dyert e FC Shkupit çdoherë janë të hapura për legjendat e klubit

Drejtori sportiv i FC Shkupit, Omer Bunjaku, sonte ishte mysafir në emisionin “Sportmania” në TV Shenja, aty ku ka folur për shumë çështje, përfshirë këtu edhe legjendat e klubit, si Zekirja Ramadani dhe Ardian Nuhiu, të cilët po shënojnë rezultate mjaft të mira në futbollin kosovar.

Sipas Bunjakut, po të mos ishte FC Shkupi, Ramadani dhe Nuhiu vështirë se do të arrinin këtu ku janë sot.

“Ne si klub, por edhe unë krenohemi edhe me Zekirja Ramadanin, krenohem edhe me Ardian Nuhiun. Po të mos ishte FC Shkupi, po të mos ishim ne, ata ndoshta nuk do të ishin trajnera, është një pikëpyetje e madhe. Ne ua kemi dhënë mundësinë dhe ne gëzohemi me sukseset e tyre pasi janë produkti ynë, ne i kemi prodhuar ata. Pra ne ju kemi dhënë rastin. E them prap, deri sa nuk ishim ne, në të kaluarën këto legjenda as nuk kanë mundur të shkilnin te klubi. Te ne dera është e hapur sërish për gjithë legjendat. Të gjithë këto e kanë pasur rastin dhe nuk do të thotë se prap nuk do ta kenë rastin. Neve nuk i’a kemi mbyllur derën askujt” – tha Omer Bunjaku.

Leave a Reply